Stacioni meteorologjik në Vërban të Vitisë, Foto: Facebook

Në Vërban të Vitisë Është Përuruar Një Stacion Meteorologjik

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka marrë pjesë sot në përurimin e stacionit meteorologjik në fshatin Vërban, i cili do të shërbejë për parashikimin e sëmundjeve në pemëtari dhe perimtari.

“Nëpërmes këtij stacioni, prodhuesit e këtyre kulturave bujqësore paralajmërohen për sëmundjet dhe dëmtuesit që mund të vijnë, me ç’rast paraprakisht jepen rekomandime për marrjen e masave mbrojtëse”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vitisë.

Ideator i këtij pilot projekti është Agro-USAID-i, kurse investimet janë kryer nga kompania IPKO.

Kryetari i Komunës, Sokol Haliti, është shprehur se institucionet komunale do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me Agro-USAID-in edhe për investime të tjera, ku parashihen edhe tri stacione të tilla në komunën e Vitisë, për të mbuluar tërë territorin e kësaj komune.