Në Treg Vetëm Vezët me Kod

Që nga dita e sotme, të gjitha vezët që do të gjenden në treg pa shifrën e prodhuesit do të konfiskohen dhe asgjësohen nga Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës.

Ditë më parë, AUVK kishte njoftuar se nga data 5 maj 2016 do të lejohen të qarkullojnë për konsum vetëm vezët të cilat janë të shënuara sipas kodeve të regjistrimit të prodhuesve vendorë. Kodet për prodhuesit vendorë është vendosur të jenë RKS-001 e tutje.

Ndërsa, vezët e importit do të kenë të shënuara kodet e fermave të vendosura nga autoritetet e tyre në vendin e origjinës.

AUVK njofton se deri më 20 prill është bërë regjistrimi i të gjithë fermerëve, të cilët janë pajisur me kodin unik të prodhuesve të vezëve.

Jehona Murati, nga AUVK, tregoi për KALLXO.com se Inspektorati i Agjencisë ka bërë inspektimin në disa pika të shitjes dhe se sipas saj në momentin e hasjes së vezëve që nuk janë të shënjuara do të bëhet konfiskimi dhe asgjësimi i menjëhershëm i tyre.

“Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë sot me datë 05.05.2016 ka ndërmarr si aktivitet kryesor inspektimin nëpër pikat e shitjes, (qendrat tregtare, supermarketet) dhe se në momentin e hasjes së vezëve që nuk janë të shënjuara nuk do të lejohet të tregtohen, do të konfiskohen dhe asgjësohen nga ana e Inspektoratit”, tha ajo.

AUVK porosit fermerët prodhues të vezëve që ta respektojnë këtë kriter dhe njëkohësisht kërkon nga pikat tregtare dhe konsumatorët që tregtojnë vetëm vezët të cilat janë të shënjuara me kode.

Ndërsa, Agim Sahiti, kryetar i Shoqatës së Shpendarëve të Kosovës për KALLXO.com tregon se është arritur marrëveshja ndërmjet Shoqatës së Shpendarëve të Kosovës, AUVK-së dhe prodhuesve të vezëve që të bëhet markimi i vezëve me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit dhe prodhuesve vendorë.

“Na si Shoqatë e Shpendarëve kemi arritur marrëveshje me AUVK dhe me prodhuesit e vezëve që të bëhet markimi i vezëve me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit dhe që të identifikohen njëherë e mirë vezët që janë për konsum dhe ato industriale”, thotë Sahiti.

Ai po ashtu tregoi se deri më tani mbi 95 për qind e prodhuesve vendorë të vezëve i janë përgjigjur pozitivisht këtij vendimi.

Kohë më parë KALLXO.com kishte njoftuar se si vezët për përpunim shiteshin për konsum në Kosovë.

http://kallxo.com/vezet-per-perpunim-shiten-per-konsum-ne-kosove