Në Shtator Votohet për Anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Në një njoftim të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL do të votohet në shtator të këtij viti.

Nga 26 deri më 29 shtator Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it do të mblidhet në Pekin të Kinës, ndërsa në agjendë është edhe kërkesa e Kosovës për anëtarësim.

Njoftimin se Kosova është në agjendë për pranim në INTERPOL, ministri në detyrë Skender Hyseni e ka marrë nga një letër që atij ia ka dërguar sekretari i përgjithshëm i INTERPOL-it, z. Jurgen Stock.

“Jam i lumtur të ju njoftoj se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it në takimin e fundit në Lyon të Francës nga 31 maj – 2 qershor 2017 ka vendosur ta përfshijë aplikimin për anëtarësim në INTERPOL të Republikës së Kosovës në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të 86-të e cila do të mbahet në Pekin të Kinës nga 26-29 shtator 2017”, thuhet në letrën e Stock, sipas njoftimit të MPB-së.

Në letër thuhet gjithashtu se këshilltari ndërkombëtar z. Hans Corell, i cili ishte emëruar për të udhëhequr një studim rreth procesit të anëtarësimit në INTERPOL, ka finalizuar punën e tij dhe raportin ia ka dorëzuar Komitetit Ekzekutiv të kësaj organizate.

Sipas letrës së kreut të INTERPOL-it për Hysenin, në fillim Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it do t’ia paraqesë Asamblesë së Përgjithshme për aprovim një kornizë të udhëzimeve për procesin e anëtarësimit.

Pas aprovimit të kësaj kornize, do t’i vijë radha edhe nxjerrjes në votim të aplikacioneve për anëtarësim, mes tyre edhe atij të Kosovës,

Vitin e kaluar INTERPOL-i njoftoi se kishte suspenduar kërkesat për anëtarësim të Kosovës, Palestinës dhe Ishujve Solomon.