Në shtator Kosova do të ketë hartën zonale të planifikimit hapësinor

Kosova në muajin shtator të këtij viti pritet të bëhet me hartë zonale të planifikimit hapësinor.

Këtë e ka bërë të ditur Luan Nushi, drejtori i Institutit për planifikim Hapësinor në MMPH.

Drejtori Nushi tha se harta zonale pritet të jetë e gatshme në muajin shtator të dalë para deputetëve në Kuvend nëse gjithçka shkon sipas planit.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ku pos tjerash kanë shqyrtuar edhe Projektligjin për Mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

Projektligji për Mbrojtjen e ajrit nga ndotja pas diskutimit në mbledhjen e parë të mbajtur në muajin maj të këtij viti ka kaluar nga komisionet e përhershme.

Andin Hoti nga Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të inkorporohen në projektligj disa vërejtje teknike, të cilat i ka parë gjatë leximit të projektligjit.

Por në këtë mbledhje ai ka thënë se nuk i ka si kopje fizike dhe i posedon vetëm në telefon dhe se nuk mund t’i lexoj.

Kryetari Nitaj tha se vërejtje të tilla kanë mundësi të inkorporohen, por do të shkaktonin vonesën e daljes në Kuvend në seancë plenare dhe do ta përsërisnin procesin edhe njëherë.

Dy projektligjet të cilat kanë kaluar në lexim të parë dhe të dytë ishin temë diskutimi në këtë komision

Kryetari Nitaj tha se projektligji për mbrojtjen nga zhurma ka rëndësinë e veçantë dhe ka kërkuar nga deputetët të shtyhet për mbledhjen e ardhshme për shkak të mungesës së deputetëve.

Ndërsa, për projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.04/L-061 për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.04/L-2471, kryetari Nitaj tha se si grup punues propozon Deputeten Besa Gaxherri, Andin Hoti dhe Salih Salihu.

Deputetja Besa Gaxherri tha se nuk pranon te jetë kryetare e komisionit sikur për rregullatorin e ujit.

“Natyrisht se jemi me punu por tash po me vjen rasti me dhanë vërejtjen time për rregullatorin e ujit.

Ai ligj është i parregulluar, Qeveria duhet me subvencionu të gjitha objektet fetare dhe shpenzimin e ujit që bëjnë ato unë nuk pranoj me punu me muaj të tërë e me shku në kuvend e me dështu unë s’marr komison me kryesu”, deklaroi Gaxherri.

Kryetari Nitaj te të ndryshmet tha se do të prezantohet harta zonale e Kosovës.

Prezantimin e hartës zonale e ka bërë, Luan Nushi, drejtor i institutit për planifikim hapësinor.

Ky dokument është në diskutim publik që nga qershori i këtij viti.

Nushi tha se gjatë kësaj kohe kanë marrë komente nga institucione të ndryshme dhe gjatë punës në vazhdim do të inkorporohen në hartë zonale.

Nushi tha se në hartën zonale të Kosovës i kanë parashikuar shtatë zona rajonale.

Deputeti Andin Hoti ka dhënë vërejtje që të në hartë zonale është përmendur vetëm Mitrovica Jugore dhe jo edhe ajo Veriore.

“Mendoj se keni bërë një gabim teknik sepse e keni ndarë Mitrovicën, besoj është gabim teknik apo jo?”, tha Hoti.

Deputetja Gaxherri tha se atë e ka bërë Kuvendi dhe sigurisht që të gjithë do t’i referohen ashtu.

Ndërsa drejtori i institutit, Luan Nushi, tha se në dokumentacione janë ashtu dhe përbëjnë 38 komuna dhe ashtu do ta paraqesë edhe instituti.

Nushi shtoi se trashëgimia kulturore në hartë zonale nuk është i paraqitur mirë.

Në hartë zonale janë të paraqitura vetëm ajo trashëgimi që është e paraqitur në pakon e Ahtisarit.

Nushi ka thënë se kanë kërkuar nga MKRS, por as ata nuk kanë pasur informacione rreth kësaj çështje.

“Ministria e Kulturës nuk na ka dhënë informacione rreth koordinatave se ku janë objektet e tjera, të cilat nuk janë në pakon e Ahtisarit”, tha Nushi.