Në seancën për Epopenë e UÇK-së, Veseli 'heq dilemën' për partneritetin me ShBA-në

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalimin e tij në seancën e veçantë për shënimin e 21-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se në këtë ditë të madhe përkulen me respekt para kujtimit të të gjithë brezave që kontribuuan për Kosovën e lirë.

Veseli tha se me 5 mars në Prekaz ka ndryshuar historia e popullit tonë dhe simboli më unik i kësaj rruge sipas tij ishte Adem Jashari dhe familja e tij.

“Adem Jashari dhe familja e tij ranë që kombi ynë të ngritët në këmbë. Në shekullin e XX Kosova hyri në hartën e vendeve të lira dhe aty do të qëndrojë gjithë jetën. Ky është zotimi ynë”, tha Veseli.

Veseli tha se zotim do ta kenë vazhdimin e misionit të gjeneratës së tyre për fuqizimin e Kosovës në çdo fushë.

“Disa gjëra kemi mundur t’i bëjmë më ndryshe e më mirë por jam i bindur që gjeneratat e së ardhmes kanë me u ndier krenar me punën tonë”, shtoi Veseli.

Veseli pasi e përmendi edhe kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve Evropiane për liri, tha se kohëve të fundit janë hap dilema për të ardhmen e partneritetit me ShBA-në.

Ai tha se sot është dita për t’i larguar dilemat pasi partneriteti i Kosovës me ShBA-në është i paprekshëm dhe i pacenueshëm.

“Sot është dita për t’i heq këto dilema dhe t’i bëjmë të pakuptimta këto pikëpyetje. Miqësia jonë me ShBA, aleanca jonë me botën perëndimore janë vlera të shenjta të kombit tonë. Janë të paprekshme dhe të pacenueshme janë përgjithmonë”, tha Veseli.

Veseli i ka bërë të qarta dy gjëra në ditën e Adem Jasharit se interesi i shtetit është mbi çdo interes tjetër dhe se Kosova nuk do të kthehet më pas, veç do të fuqizohet.