Foto: REL/Shutterstock

Në QKUK mungojnë barnat e kushtueshme për eshtra

Ka më shumë se dy muaj që bari Ibandronat mungon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ky bar që përdoret për trajtimin e sëmundjeve të eshtrave  po mungon në Klinikën e Reumatologjisë.

Përderisa pacientët nga mbarë Kosova vijnë në këtë klinikë për të marrë trajtim të kohëpaskohshëm,  në mënyrë që të kenë progres në shërim ata ka më shumë se dy muaj që nuk kanë arritur të marrin terapinë.

Një prej pacientëve i cili merr terapi me Ibandronat për shkak të sëmundjes së osteoporozës thotë se këtë radhë ai duhet të kaloj kohën e marrjes së terapisë për shkak të mungesës së barit dhe nuk është i sigurt se si do të jetë në rast se nuk e merr këtë terapi tash.

“Për një kohë të gjatë më është aplikuar me rregull bari por tani që nuk është nuk e di se çka duhet të bëjë, më kanë udhëzuar për më shumë analiza ndërkohë që jam në pritje” thotë N.N.

Nga ana tjetër Gëzim Krasniqi kryeinfermier në Klinikën e Reumatologjisë në QKUK tha për KALLXO.com se puna u është vështirësuar sepse pacientët nuk po e presin mirë faktin që stafi nuk po ka mundësi t’a aplikojë terapinë, ndërsa tha se pacientët po ankohen për çmimin e lartë të barit që po detyrohen ta blejnë.

“Përafërsisht sipas pacientëve është prej 40 deri në 60 euro varet a është 3 miligram apo 6 miligram, sot një pacient që ka pasur me marrë barin tha se i ka kushtuar 63 apo 64 euro. Në fakt çmimi real nuk na intereson ne veç aplikimin e bëjmë, për neve është më e rëndë kur detyrohemi të themi se nuk e kemi barin” tha ai.

Ndërkaq në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës thuhet se kjo kontratë është lidhur ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe operatorit ekonomik dhe se ata janë në pritje .

“Kontrata për produktin Ibandronat është e lidhur në mes të MSH dhe Operatorit Ekonomik. Kërkesa për furnizim nga ana jonë është dërguar, mirëpo malli nuk është liferuar” thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë  thotë që sipas informatave nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore furnizimi i fundit me Ibandronate 6 mg është realizuar me datë 18 Janar të këtij viti në sasi prej 1mijë e 50 njësi.

“Në atë periudhë, Barnatorja Qendrore e QKUK-së ka pasur disponueshmëri të stokut për produktin përkatës në sasi prej 633 njësi që do të thotë se, bazuar në planifikim real të ShSKUK-së, sasi totale (sasia e liferuar + stoku në dispozicion) ka qenë e mjaftueshme për një periudhë 4 mujore” thuhet në përgjigje.
Sipas tyre operatori është vonuar për liferim të produktit dhe prandaj ka ndodhur vonesa ndërsa thuhet se do të merren masa për të furnizuar sa më shpejtë Klinikën e Reumatologjisë me produktin në fjalë.

KALLXO.com mëson se përveç Ibandronatit ka mungesa edhe të barnave të tjera të kushtueshme që xhepi i qytetarëve të zakonshëm është vështirë t’i përballojë.

KALLXO.com raportoi se bari Ibandronati ishte në mungesë edhe në muajin shkurt.

https://kallxo.com/mungese-te-barnave-ne-onkologji-ne-diten-boterore-kunder-kancerit/