Në protestën e shoqërisë civile kërkohen zgjedhje të reja

Qytetarët e mbledhur në protestën e thirrur nga organizatat e shoqërisë civile po kërkojnë zgjedhje të reja në Kosovë.

Njëri prej organizatorëve të protestës, Imer Mushkolaj, u ka bërë thirrje edhe partive politike në opozitë por edhe të pushtetit për t’iu bashkuar protestës dhe thirrjes për zgjedhje të reja, “për korrigjim jo të kufijve por të politikanëve që po na çojnë drejt greminës”.

Gjatë protestës është lexuar një deklaratë, përmes të cilës protestuesit kërkuan përgjegjësi nga ata që “po luajnë e bëjnë pazare me fatin tonë, me fatin e vendit tonë”.

“Sot si kurrë më parë është më se e qartë se politika po ndërhyn në gjyqësor, që Kuvendi është jofunksional, që keqpërdorimet nuk po adresohen dhe një sistem i tillë dëshmitarë të të cilit jemi ne qytetarët, po e shkatërron të ardhmen tonë. Andaj sot këtu protestojmë dhe kërkojmë që të respektohet sovraniteti i vendit tonë, kërkojmë të ndërpriten pazaret me shtetësinë tonë, ekzistencën tonë, kërkojmë zgjedhje të reja”, thuhet në deklaratën e lexuar nga njëri prej organizatorëve e që më pas lexohej me zë edhe nga qytetarët protestues.

“Bashkohuni t’i dalim zot Kosovës, bashkohuni ju përfaqësues të shoqërisë civile, opozitë dhe ju qytetarë të Kosovës pa asnjë dallim! Të mblidhemi dhe të bëhemi një  e t’i japim fund kësaj situate dhe në mënyrë paqësore ta bllokojmë këtë proces shtet-shkatërrues”, thuhet më tej në deklaratë.

E Imer Mushkolaj e shpalli të përfunduar protestën e sotme, duke paralajmëruar protestën e radhës për të mërkurën e ardhshme.