Në prill hapet ekspozita kushtuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës

Për të përkujtuar fëmijët e vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovës Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, planifikon që në fund të muajit prill 2019, të hap një ekspozitë përmes së cilës do të ekspozohen fotografi dhe gjësende që u kanë takuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës.

Drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, tha se ekspozita do të hapet në Qendrën e Dokumentimit të Kosovës që ndodhën në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës.

“Po tentojmë që në fund të muajt prill 2019, diku rreth data 25 -27 , ta hapim  ekspozitën kushtuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës, ku do të ekspozohen fotografi, emrat e tyre dhe gjësendet e fëmijëve që i kanë ruajtur nga familjarët e tyre”, ka thënë Blakaj.

Blakaj ka thënë se qëllimi i kësaj ekspozite është ngritja e vetëdijes kolektive lidhur me të kaluarën dhe përkujtimi për ata fëmijë që u vranë në kohën kur sa po kishin nisur hapat e parë të jetës.

Sipas të dhënave që nxorrën organizatat humanitare, ato shkencore por edhe studiues të ndryshëm në Kosovë gjatë luftës janë vrarë 1.392 fëmijë,  prej tyre 296 nën moshën 5 vjeç.