Në Podujevë mbahet dita fushore me kultivuesit e specit dhe lakrës

Në fshatin Sekiraçë të Podujevës u organizua dita fushore me fermerët kultivues të specit dhe lakrës, ku morën pjesë ekspertë të bujqësisë dhe fermerë llapjanë.

Në takimin me fermerë, nikoqir i të cilit ishte Qendra Grumbulluese “Albini”, me pronar Bekim Vokrrin, fermerët morën këshilla rreth trajtimit të këtyre perimeve dhe mbrojtjes nga sëmundje të ndryshme si dhe përdorimin e plehrave dhe kemikalieve.

Drejtori Drejtorisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Fermerët, Vezir Januzi, e vlerësoi si shumë të rëndësishme organizimin e ditës fushore, me ç’rast Besim Sahiti – furnizues me kemikalie dhe plehrave – informoi fermerët kultivues të specit dhe lakrës për mënyrën e trajtimit të këtyre perimeve.

“Në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe Ismet Babaj nga USAID-i biseduam edhe rreth dëmeve të shkaktuara nga breshri dhe reshjet e dendura të shiut”, tha drejtori Januzi.

Drejtori Januzi u premtoi fermerëve mbështetje në kultivimin e kulturave të perimtarisë, siç janë speci dhe lakra, të cilat janë të kërkuara në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.