Foto: Atdhe Mulla/KALLXO.com
Në pikë të vapës, prishtinasit mbesin pa ujë të pijshëm
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar konsumatorët e disa zonave të larta në kryeqytet se për shkak të një defekti në njërën nga tre pompat e rezervuarit të Mirëditës në lagjen “Velania” sot janë pa ujë të pijshëm.
Sipas kompanisë, me këtë rast ka vështirësi në mbulueshmërinë me furnizim me ujë në pika të larta, si shkak i konsumit të rritur të ujit në këto temperatura të larta.
“Zonat e larta që janë të prekur në furnizim me ujë të pijshëm për shkak të defektit në pompën e rezervuarit të ‘Mirëditës’ janë një pjesë e lagjes ‘Vreshtat’, ‘Tasligje 3’ një pjesë e lartë e lagjes ‘Sofalia’, rruga e Bledit dhe pika më e lartë e lagjes Mati’”, thuhet në njoftim.
KRU “Prishtina” ndër të tjerash thekson se, ekipet e mirëmbajtjes se makinerisë dhe rrjetit të uësjellësit, tashmë janë duke u marrë me sanimin e defektit në pompë dhe pritet që furnizimi me ujë të pijshëm të rikthehet gjatë orëve të sotme të pasditës.
Në anën tjetër, në Kosovë sot temperaturat priten të arrijnë në 32 gradë Celsius.