Në muajin shtator pati rënie të lehtë çmimeve në konsum, pemët kontribuuan më shumë

Në muajin që shkoi, pati rënie të çmimeve të konsumit për -0.4 për qind në raport me muajin e njëjtë të 2019-ës, kjo falë rënies së çmimeve në pemë, qumësht e produkte të qumështit, vezë e mjete kuzhine.

Rënie të çmimeve pati kryesisht në pemë, naftë e benzinë, dhe pushime të organizuara.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.1%) në muajin shtator 2020, krahasuar me muajin gusht 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-9.3%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-0.4%)-(rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës); pushime të organizuara (-2.3%); shërbime hoteliere (-06%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3 për qind) në IHÇK“, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Ndërsa, ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: perime 4.2 për qind; energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera 1.9 për qind -(ngritje e çmimeve të drunjve për ngrohje), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2 për qind në IHÇK.

Ndërsa norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator të sivjetëm me muajin shtator 2019 ishte -0.4 për qind.

Produktet e qumështit, pemët dhe mjetet për kuzhinë kontribuuan më shumë në këtë rënie.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.4%) në muajin shtator 2020, krahasuar me muajin shtator 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-2.1%); pemë (-3.5%); veshje (-1.3%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (-5.5%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-14.5%)-(rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.4) për qind në IHÇK”, bën të ditur komunikata.

Në anë tjetër, ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra 2.6 për qind; mish 1.5 për qind; sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira 3.1 për qind; ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet 2.9 për qind; duhan 2.2 për qind; produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje 4.7 për qind; shërbime ambulatore 5.5 për qind; shërbime hoteliere 1.8 për qind; kujdes personal 2.1 për qind; sigurime 19.7 për qind -(ngritje e çmimeve të sigurimeve të automjeteve), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.0 për qind në IHÇK.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin  e raport-indeksit “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin shtator 2020.

Vlen të përmendet se në vitin 2019 u regjistrua inflacion 2.7 për qind

Çmime luksi për produkte bazë, 2019-ta me inflacion 2.7%