Akademia për Mehë Ukën - Foto: KALLXO.com

Në Mitrovicë u mbajt akademi përkujtimore për heroin e kombit Mehë Uka

Me rastin e 22 vjetorit të rënies se heroit Mehë Uka në Mitrovicë u organizua akademi përkujtimore.

Të pranishëm në këtë akademi ishin kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, komandanti i Ushtrisë së Kosovës, gjeneral lejtënant Rrahman Rama, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Mitrovicë, Rafet Ibishi, familjarë të dëshmorëve, si dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, tha se është mirë që organizohen tubime të këtilla përkujtimore, përmes të cilave mund të kujtojmë kontributin e jashtëzakonshëm të dëshmorëve të kombit në luftë për çlirimin e atdheut, sepse kështu, brez pas brezi, do të përkujtohen figurat madhore të historisë dhe lavdisë sonë kombëtare.

“Sot jemi këtu për të nderuar figurën madhore të heroit Mehë Ukës i cili është shembulli më i shkëlqyeshëm se si luftohet e vdiset për lirinë e pavarësinë e Kosovës si dhe gjithë luftëtarët e tjerë që kapën pushkën t’i dalin zot atdheut të tyre. Ne mitrovicasit ndër vite kemi treguar se si mbrohet vendi nga pushtuesit barbarë, luftëtarët tanë kanë qenë të dalluar qysh moti. Kemi edhe luanët e nëntokës të cilët po ashtu kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e vendit tonë”, tha Bahtiri.

Tani, sipas tij, është koha që t’i dalim zot Mitrovicës sepse amaneti i luftëtarëve ishte të mbrojmë çdo cep të kësaj toke.

“Dëshmorët jetën e tyre nuk e dhanë për ndarje të Mitrovicës e të Kosovës. Shumë familje mbeten pa të dashurit e tyre, dhe janë pikërisht familjarët e dëshmorëve të cilët dhanë anëtarët e tyre më të ngushtë për një të ardhme më të mirë të vendit. Lavdi për jetën dhe veprën e heroit Mehë Ukës dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Bahtiri.

Në emër të familjes, foli Rasim Uka, vëllai i Mehë Ukës, i cili theksoi se kjo pjesëmarrje e madhe e qytetarëve në këtë sallë flet më së miri se Meha është në mesin tonë ndërsa vepra dhe jeta e tij do të jetë e paharruar.

Ai gjithashtu ka uruar edhe krijimin e Ushtrisë së Kosovës, një ëndërr kjo, sipas tij, e kahmotshme e të gjithë dëshmorëve dhe popullit shqiptar.

Kjo akademi është organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së.

Po ashtu para akademisë janë vendosur edhe buqeta me lule të freskëta te shtatorja e Heroit Mehë Uka, në qendër të qytetit të Mitrovicës.