Komuna e Prishtines, Foto: Atdhe Mulla.

Në Mesditë Prishtina Teston Sirenat e Alarmit

Komuna e Prishtinës sot në orën 12:00 pritet ta bëjë testimin e sistemit të alarmit publik.

Ky testim është paraparë të bëhet në 14 pika të ndryshme në territorin e Komunës së Prishtinës.

Ibush Kelmendi, zyrtar nga Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Prishtinës tha për KALLXO.com se njëra nga pikat do të jetë në ndërtesën e komunës, tjetra në objektin e Radio-Kosovës, një pikë do të jetë në “Kodrën e Trimave”, ndërsa pika të alarmit do të ketë edhe në “Dardani”, “Taslixhe”, “Arbëri” dhe pika tjera.

Kelmendi tregoi se çfarë tingulli do të dëgjohet.

“Tingulli i sistemit të alarmit do të jetë tingull i njëtrajtshëm sirene në kohëzgjatje prej 30 sekondash, andaj lusim qytetarët që të mos shqetësohen nga ky testim,” tha Kelmendi.

Gjithashtu, ai tha se ky testim do të bëhet në çdo të shtune të parë të muajit.

“Sipas Rregullores për Mbrojtje dhe Shpëtim, sistemi i testimit të alarmit është i paraparë të bëhet çdo të shtunën e parë të muajit dhe se Komuna e Prishtinës do ta bëjë këtë testim vazhdimisht,” tha Kelmendi.

Sipas Kelmendit testimi i sistemit të alarmit bëhet për paralajmërimin e qytetarit nga rreziqet e ndryshme natyrore, siç janë sinjali i alarmimit rrezik nga ajri, sinjali i alarmimit rrezik nga mjetet kimike, biologjike dhe radiologjike, sinjali i alarmimit rrezik nga fatkeqësitë elementare dhe natyrore dhe sinjali i alarmimit rrezik nga zjarri.

Për testim të sirenave të alarmit Komuna e Prishtinës njoftoi qytetarët edhe me anë të mesazheve telefonike.

Në vitin 2014 alarmi u testua në gjashtë pika të ndryshme të kryeqytetit, por nuk u dëgjua në disa prej tyre.

http://kallxo.com/alarmi-i-komunes-nuk-degjohet-ne-te-gjitha-lagjet/

[interaction id=”56ff932b5ac3fae67ac92c42″]