Fruthi - Foto: KALLXO.com

Në mes të frikës nga autizmi dhe sëmundja e fruthit

Kanë kaluar gati dy vjet që kur Sabile Kasumi nga Fushë Kosova humbi vajzën e vogël 15 muajshe, Rabijen.

E mërzitur dhe me mallin për të bijën, ajo thotë se shkaktar i vdekjes së vajzës ka mosvaksinimi i të bijës kundër fruthit.

“Shumë randë, katastrofë për neve ka qenë ai vit i keq. Çika e vogël nuk i ka pas vaksinat me rregulla, këta të tjerët të pestë po. Sherri vaksinave ka ndodhë kjo punë”, thotë ajo.

Kohëve të fundit në mesin e prindërve, sidomos në rrjete sociale, është hapur një debat se a duhet apo jo të vaksinohen fëmijët për t’u mbrojtur nga fruthi. Spekulimet se kjo vaksinë shkakton autizmin po hedhen poshtë nga profesionistët por kjo nuk po u ndërron bindjen shumë prindërve që po vendosin të mos i vaksinojnë fëmijët.

Pediatrja Hanëmshahe Hoda thotë se ka raste të shumta kur prindërit janë të vendosur për mos t’i vaksinojnë fëmijët kundër fruthit.

“E kam rastin me një prind i cili deri në moshën katër vjeçare nuk e ka vaksinuar (fëmijën), edhe vazhdimisht edhe kur ka ardhë në kontrolla kur ka qenë i sëmurë fëmija, e pyetsha ende nuk e ke vaksinu thoshte jo edhe kam vendosë mos me e vaksinu se kam lexu shumë ne portale në internet dhe jam i bindur se vaksina e shkakton autizmin”, thotë Hoda.

Por ajo thotë se shumë prindër që patën vendosur që mos vaksinojnë fëmijët e tyre për shkak te frikës nga autizmi kanë reflektuar në momentin që shpërtheu epidemia e fruthit në Kosovë.

Nga ana tjetër doktoresha Isme Humolli, shefe e departamentit të epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, thotë se vaksina kundër fruthit është shumë e sigurt, pa efekte anësore dhe duhet të jepet që nga muaji i dymbëdhjetë i jetës.

“Nga aspekti shkencor nuk ka një lidhshmëri shkencore mes autizmit dhe vaksinës kundër fruthit. Ajo çka është më tepër indikative është që kjo vaksinë që jepet jo vetëm në Kosovë është vaksinë e kombinuar është vaksinë kundër fruthit, parotitit dhe rubellës”, thotë ajo.

Sipas doktoreshës e cila që nga viti 1999 është në krye të departamentit të imunizimit në Kosovë, për gjithë këto vjet janë vaksinuar shumë fëmijë dhe asnjëherë nuk është vërejtur ndonjë efekt i padëshiruar pas dhënies së vaksinave.

“Në qoftë se prindi e merr përgjegjësinë mos me vaksinu fëmijën ai prind duhet me mendu që në qoftë se fëmija e tij sëmuret nuk ka të drejtë atë fëmijë me dërgu në institucione shëndetësore për shkak të rrezikut të infektimit të fëmijëve tjerë” thotë ajo.

Ajo që po e vuan më së shumti mosvaksinimin e fëmijës, Sabilja nga Fushë Kosova, ka një porosi për të gjithë prindërit.

“Ju kam thanë krejt nanave që me i vaksinu me kohë fëmijët e vet se pa vaksina është shumë vështirë me mbijetu, ma mirë është me kohë me i vaksinu”, thotë ajo.

Plani i vaksinimit në Kosovë bëhet nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me komunat e pastaj dërgohet plani në Ministri të Shëndetësisë.

Të gjitha vaksinat në Kosovë prokurohet përmes kanaleve të UNICEF-it, janë të licensuara, të patentuara dhe të lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF-i.