Në ‘Medicus’ nuk Arrihet të Sigurohet Dëshmitari nga Amerika

Një dëshmitar ishte paraparë të dëshmonte me videolidhje nga Amerika në Rastin “Medicus”, por seanca e këtij gjykimi nuk është mbajtur.

Seanca ka dështuar pasi nuk është arritur të sigurohet prania e dëshmitarit Josef Koronashvilli, i cili pritej të dëshmonte me video-lidhje.

Lajmin për dështimin e seancës në Rastin “Medicus”, e bëri të ditur për KALLXO.com Ramë Gashi, avokati i Sokol Hajdinit.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.