Në Mbrojtje të Lajmit Nga Portalomania

Në Kosovë, gjatë viteve të fundit është shtuar numri i uebfaqeve të cilat mëtojnë se publikojnë lajme, por që në të shumtën rasteve bëjnë kopjim, vjedhje dhe shkelin të drejtat autoriale të atyre që prodhojnë lajmin.

Por, a është kjo e rregulluar me ligj? Sa mbrohet me ligj e kush duhet ta mbrojë të drejtën e atyre që me të vërtetë prodhojnë lajme?

Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës dhe Odën Ekonomike Amerikane kanë mbajtur një dëgjim publik lidhur me Projektligjin pёr Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta me përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile.

Sipas Nait Hasanit, kryetar i këtij komisioni, problemi më i madh te ligji për të Drejtat e Autorit është edhe çështja e mbrojtjes së lajmit e autorësisë së saj.

“Në Kosovë kemi diku 200 – 300 portale, prej tyre vetëm 20 janë të licencuara e pjesa tjetër është ilegale”, ka thënë Hasani në këtë takim.

Hasani shtoi se në Kosovë ka keqpërdorim të lajmit.

“Nuk kemi mbrojtje të autorësisë së lajmit edhe kjo po krijon probleme në portalet e Kosovë”, ka deklaruar Hasani.

Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës “Koha Ditore”, në këtë pikë tha se lajmi duhet të mbrohet me ligj.

“Kur flasim për produktin që e bën gazetari është që të mbrohet autorësia e tij sepse në fakt puna e tij paguhet, e kjo nëse nuk e mbrojmë lajmin me të drejtë autoriale, kemi atëherë me ju ndihmu atyre që kanë portale e që bëjnë kopjimin e lajmeve” ka thënë Bajrami.

Ai ka përmendur modelin austriak i cili mbron lajmin autorial për 12 orë.

Ndërsa Faik Ispahiu nga KALLXO.com, ka thënë që një rregullim i pjesshëm i skenës mediale është i dënuar në dështim.

“Duhet të rregullohet së pari infrastruktura transmetuese, regjistrimi zyrtar i subjekteve të cilat zyrtarisht prodhojnë lajme, e deri te vetërregullimi i skenës mediale”, tha Ispahiu.

“Të gjitha përpjekjet tjera për mbrojtjen nga vjedhja e pronës intelektuale dhe piraterisë janë treguar të pasukseshme”, shtoi Ispahiu.

Në ligjin ekzistues në nenin 12, lajmi i ditës hyn në kategorinë e krijimeve pa mbrojtje.