Në marshin për Luginën e Preshevës kërkohet heqja e taksës prej 10 % për produket e Serbisë

 

Qindra qytetarë u bashkuan marshit për bashkim të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit me Republikën e Kosovës të organizuar nga Shoqata Çamëria.

Protestuesit kërkuan nga institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare që të bashkëpunojnë në bashkim kombëtar mes shqiptareve, duke u bashkuar njëkohësisht idesë së presidentit Hashim Thaçi për ‘korrigjim të kufijve’ që sipas tij, nënkupton bashkimin e Kosovës me Luginën.

Ismajl Selmani i njohur si komandant ‘Mala’ kërkoi bashkimin e shqiptareve kudo që flitet shqip, dhe ndihmën e Bashkimit Evropian për këtë qellim.

“Është e vërtetë qe kemi vuajtur shumë, e kemi përjetuar momente të vështira në dilemë për ardhmërinë tonë. Kërkojmë që të bashkohen të gjithë shqiptarët kudo që janë, ku ka vetëm shqip, e ku ka abetare shqip. Shqiptarët janë 19 milion dhe asnjë ‘pllamë’ toke nuk ja morën uzurpueseve, këtu kërkojmë bashkimin e shqiptareve dhe kërkojmë edhe nga Bashkimi Evropian që punojmë bashkë që buzëqeshja e këtij populli të ndritët. Shqiptaret kanë shumë arsye për të dalë në këso mënyrë, i thërras të gjithë ata ku flasin shqip ejani të bashkohen me ne, që të arrijmë në shqiptari siç duhet”, tha Selmani.

Ragmi Mustafa përfaqësuesi i Preshevës, në fjalimin e tij kërkoi nga qeveria e Kosovës ta heq taksën shtesë në masën 10 për qind produkteve të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

“Është një ditë dhe moment historik qe luginën Preshevës të mbështet fuqimisht nga të gjithë që e kanë gjenin shqiptar. Kërkojmë bashkim me treungun e Kosovës aty ku e ka pas vendin. Ëndrra e Kosovës lindore është koha të bëhet realitet e mos të quhet më Kosovë lindore, por lindje e Kosovës. Këto komuna padrejtësisë u ndanë, tani është koha e demokracisë, dhe për një korrigjim të kufijve pasi që kemi edhe ndihmën e ShBA-ve, ftojë të gjithë spektrin politik të Kosovës ta mbështesin bashkëngjitjen Medvegjes, Preshevës dhe Bujanovcit me Kosovën dhe besoj që ka patriot dhe të dijshëm. Kërkojë edhe largimin e taksën 10% se nga ajo ndikohemi edhe ne”, tha Mustafa.

Përfaqësuesi i mërgatës nga Zvicra,  Fadil Selmani tha se ideja e Presidentit Hashim Thaçi për ‘korrigjim të kufijve’ është një hap i mirë drejtë bashkimit.

“Kam një porosi të qartë për përfaqësisë tanë, dërgojeni deri në fund amanetin, ju lus të i leni mospajtimet partiake. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bëri hapin e kapitullit që vendet kur u merren me u bashku. Andaj edhe unë nga mërgimi e kam një porosi për klasën politike në të gjitha trojet shqiptareve, ju duam të bashkuar dhe jeni vëllezër”, tha Selmani.

Ndërsa, Nexhmi Muçiqi, kryetar i shoqatës  ‘Çamëria’ tha se ky marshim i sotëm nuk do të thotë përkrahje e presidentit të Kosovës pavarësisht idesë së tij për bashkim të territorit të Kosovës me Luginën.

“Ky marsh nuk e përkrah asnjë politikan por këto kërkesa dalin nga shpirti. Kërkojmë nga politikanët që mos ta konsiderojnë veten për të copëtuar trojet po që ta kryeni ju amanetin e dëshmoreve. Është papranueshme që Kuvendi nuk flet për bashkim, ju vëllezër ndërprisni interesat e juaj dhe bashkojuni idealit tonë . Një hap i rëndësishëm është ai i Hashim Thaçit që nënkupton se asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet vetëm si ide e tij siç po thonë disa politikanë. Por kisha kërkuar ende nga të tjerët që ta përkrahin idenë e bashkimit e jo ta kundërshtojnë pasi vëllezërit tanë e kanë këtë të drejtë universale”, tha ai.

Protestuesit marshuan nga Biblioteka Kombëtare në drejtim të sheshit “Skënderbeu” përballë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

KALLXO.com u ka sjellë pamje direkt nga vendi i ngjarjes.

https://kallxo.com/nis-marshi-protestues-per-bashkimin-e-presheves-bujanovcit-dhe-medvegjes-me-kosoven-foto/

 

FOTO KALLXO – Marshi per Luginen e Presheves