Projekti për termocentralin "Kosova e Re" – Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Në mars fillojnë punimet për TC ‘Kosova e Re’

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka qenë i pranishëm edhe Bernhard Haider, menaxheri i projektit të TC ‘Kosova e Re’ nga ‘Contour Global’ i cili tha se në muajin shkurt do të bëhet do të bëhet përzgjedhja e konsorciumit i cili do të bëjë ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’.

Nga katër konsorciumet që kishin hyrë në garë për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’, 1. CMEC; 2. Një konsorcium i përbërë nga ENKA, Mitsubishi Hitachi Power Systems dhe Técnicas Reunidas; 3. Një konsorcium i kompanive të General Electric; dhe 4. Hyundai, konsorciumi korean ‘Hyundai nuk e ka dërguar propozimin e tyre deri në fund të muajit nëntor siç ishte kërkuar.

Përfaqësuesi i ‘Contour Global’ tha se janë gati që të fillojnë në mars me përgatitjet për ndërtimin e termocentralit, ku fillimisht do të bëhet pastrimi i ambientit.

“Pasi ta përfundojmë ne mund të fillojmë ndërtimin. Kjo periudhë do të zgjasë nga 3 deri në 7 maj, varësisht se çka ka pasur në këtë hapësirë”, ka thënë Bernhard Haider nga ‘Contour Global’.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se janë krenar me kontratën për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’.

“Kjo është dëshmia më e mirë, ne kemi besim te ju si investitor, jemi krenarë për kontratën që e kemi me ju, i falënderoj të gjithë për përgatitjen e këtij projekti. Shpresoj që kur të fillojnë punimet të involvohen kompanitë vendore që të ketë gjenerim të vendeve ekonomike”, është shprehur Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka kërkuar të dhëna nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik se sa do të jetë nevoja për të hyrë në borxh për të financuar ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Hamza ka thënë se ligji e trajton garancionin e lëshuar nga shteti i Kosovës si të jetë borxh publik. Tutje, ai ka shpjeguar se për të lëshuar garancione për financim të Kosovës së re nevojitet që të miratohet në Kuvend me 2/3 e votave.

“Tu e pa rëndësinë e borxhit publik, ne si MF presim që me kohë do të na prezantohet se cili do të jetë niveli i garancionit që ne duhet të japim, cili do të jetë tipi i garancionit, sa është kohëzgjatja e këtij garancioni, që të gjithë të kenë konsideratë çmimin. Ky garancion konsiderohet si borxh, dhe çdo borxh duhet të ratifikohet në Kuvend me 2/3 e votave”, tha Hamza.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se një ekspert i angazhuar është duke e bërë një studim për të parë se sa është garancioni që duhet të lëshoj shteti për termocentralin Kosova e Re. Lluka, ka thënë se në bazë të disa përllogaritjeve pritet të totali i garancionit për këtë projekt të jetë rreth 350 milionë euro.