Në Malishevë shënohet viti i gjashtë që nuk ka vdekje nga rriqrat

Komuna e Malishevës ka njoftuar se nesër do të përfundojë faza e parë e repelimit të kafshëve, në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK).

Sipas të dhënave, deri tani në këtë fazë të parë janë repeluar rreth 20 mijë kafshë të trasha dhe të imëta.

Ndërsa nënkryetari Hajdin Berisha, që e drejton shtabin komunal për menaxhimin e situatës endemike, ka thënë se ky është viti i gjashtë që nuk ka raste të vdekjes nga EHKK.

“Jemi në vitin e gjashtë që nuk kemi raste të vdekjeve dhe në vitin e pestë që nuk kemi asnjë rast të infeksionit me EHKK, e në këtë ka ndikuar më së shumti repelimi i kafshëve, andaj jemi të angazhuar në vazhdimin e repelimit të kafshëve, por edhe të masave tjera, dhe varësisht nga situata në terren, do të fillohet edhe me fushatën e dezinfektimit të zonave endemike”, ka thënë Berisha.

Sipas Berishës, repelimi i kafshëve vlerësohet si masa më efektive në parandalimin e përhapjes së virusit të EHKK, pasi pamundëson bartjen e rriqrave përmes kafshëve dhe në të njëjtën kohë edhe ndërprenë ciklin e rriqrave, të cilët janë bartës të virusit.