Në Malishevë Dëmet nga Ngricat Sa Fondi i Ministrisë për Kompensim

Dëmet nga ngricat e muajit prill në pemtari, perimtari dhe vreshta vetëm në Komunën e Malishevës janë vlerësuar 488 mijë e 246 euro, ndërsa Ministria e Bujqësisë për kompensim dëmesh për 2017-ën ka në dispozicion vetëm 500 mijë euro.

Isuf Cikaqi, drejtor i Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregjeve në Ministrinë e Bujqësisë tha për KALLXO.com se ende nuk dihet vlera totale e dëmeve nga ngricat e muajit prill në të gjitha komunat e Kosovës.

“Ende nuk është bërë verifikim në terren nga ana e MBPZHR-së, pasi që jemi duke i pritur raportet vlerësuese për dëmet e shkaktuara nga ana e Drejtorive Komunale për Bujqësi, e që deri më tani ende nuk i kanë sjellë të gjitha komunat raportet për vlerësimin e dëmeve”, tha Cikaqi, duke treguar se më së shumti u dëmtuan pemët dhe vreshtat.

Ai tregoi për KALLXO.com se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvilimit Rural për kompensim të dëmeve për vitin 2017 ka një fond prej 500 mijë eurosh.

Cikaqi tregoi se do të ketë kompensim të pjesshëm të dëmeve.

“Kompensimi do të bëhet në mënyrë të përgjithësuar, pra kjo nënkupton se varësisht prej mjeteve që disponojmë do të bëhet edhe kompensimi i pjesshëm i dëmeve të shkaktuara për fermerët e dëmtuar në tërë territorin e Kosovës”, tha Cikaqi.

Ai tha se nëse mjetet për kompensim të pjesshëm nuk mjaftojnë, do të kërkohen nga qeveria para shtesë për këtë qëllim.

“Në rast se këto mjete nuk mjaftojnë për kompensimin e pjesshëm të vlerës së dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore që do të shkaktohen gjatë tërë vitit, atëherë MBPZHR do të kërkojë mjete shtese nga qeveria”, tha Isuf Cikaqi.

KALLXO.com ka kërkuar nga disa komuna të Kosovës të tregojnë vlerën e dëmeve të shkaktuara nga ngricat.

Vetëm Murat Hoxha drejtor i Bujqësisë në Malishevë ka dërguar vlerën e dëmeve të pësuara nga kultivuesit e pemëve dhe perimeve  në këtë komunë.

Sipas listës së dërguar nga Hoxha, vetëm në Malshevë dhe fshatrat e saj dëmet nga ngricat vlerësohen 488 mijë e 246 euro.

Edhe në fund të muajit prill KALLXO.com shkroi se Ministria e Bujqësisë nuk e dinte vlerën e dëmeve të shkaktuara nga ngricat.

http://kallxo.com/ministria-e-bujqesise-ende-se-di-vleren-e-demeve-nga-ngricat/