Foto: Kallxo.com

Në Kuvendin e Kosovës është hapur ekspozita 'Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve'

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës sot është hapur ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, e cila është realizuar me rrëfimet e familjarëve të personave të pagjetur.

Fotografitë e kësaj ekspozite janë realizuar nga Atdhe Mulla kurse kuratore ka qenë Eliza Hoxha.

“Një koment që më ka lënë përshtypje, është mirë që po bëni zhurmë. Kjo ekspozitë është jo vetëm zhurmë por është bërtitmë në këtë vend të rëndësishëm dhe që marrin vendime këtu. Për të pagjeturit lufta ende nuk ka përfunduar”, ka thënë Kushtrim Koliqi nga “Integra”, e cila e ka mbështetur realizimin e kësaj ekspozite.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në hapje të ekspozitës ka thënë se plaga e të pagjeturve është ende e pashërueshme.

“Për pak ditë na ndajnë nga festimi i përvjetorit 11 të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Janë edhe dy dekada të lirisë sonë. Ajo që na ka mbetur peng janë pasojat e luftës. Pjesa shpirtërore po ma mbetet si plagë. Janë njerëzit tanë që nuk e dimë ende ku i kemi. Plaga e të pagjeturëve është ende e pashëruar për njerëzit tanë. Ne duam drejtësi. Serbia është ajo që duhet të jep përgjegjësi. Në shumë rast arti e shpreh dhimbjen sesa shprehjet tjera shoqërore”, deklaroi Veseli.

Foto: Kallxo.com

Kuratorja e ekspozitës, Eliza Hoxha theksoi se ka qenë e vështirë të vizualizohet historia e personave të pagjetur të cilët ne i dimë vetëm si numra.

“Të vizualizosh diçka në mungesë besoj që është diçka e pamundur. Ndër vite kemi parë fotografi të fytyrave të personave që ende nuk janë gjetur. Ne flasim zakonisht për numrin por brenda atyre shtëpive janë emrat e atyre që ne nuk i njohim. Ka qenë shumë e zorshme me kriju një rrëfim të përbashkët të katër familjeve që e flasin dhimbjen e njëjtë por emrat e ndryshëm. Në emër të 1653 të pagjeturve kemi lart kokave kaq çelësa për secilin emër”, theksoi kuratorja e kësaj ekspozite, Eliza Hoxha.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 30 prill 2019.