Pankarta në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Në Kuvend Kërkohet Drejtësi për Deharin

Pasi opozita nuk arriti të sigurojë 40 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit ku do të diskutohej për vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit, deputetë të Lëvizjes “Vetëvendosje” dolën para përfaqësuesve tjerë të popullit me pankartën ku shkruhej fjala “Drejtësi”.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë humbur besimin në një hetim të pavarur. E ky Kuvend po e dëshmon këtë, duke penguar një seancë të jashtëzakonshme ku do të flitej për vdekjen e Deharit,” tha Visar Ymeri.

Ai më tutje deklaroi se do të dalë e vërteta për vdekjen e Astrit Deharit.

“Drejtësia për Astritin do të bëhet, por jo me këtë shtet të kapur. Zëri i qytetarëve në rrugë kërkonte drejtësi për Astritin, e ju po e fshehni atë,” tha më tutje Ymeri.

Edhe Daut Haradinaj në emër të AAK-së kërkoi debat për këtë vdekje të dyshimtë.

“Jemi për një debat, AAK e unë e kemi dhënë nënshkrimin. Besoj që sa më shpejt organet e drejtësisë duhet me dhanë fjalën e vet. Ministrja do të duhej të ishte këtu. Të debatohet e kërkohet e vërteta rreth këtij rasti,” tha Haradinaj.

“Në mungesë të drejtësisë sot po krijohet amulli, jo veë në rastin dehari po në të gjitha. Nëse shteti nuk ka kurrgjë me mshef, hapne debatin,” deklaroi Daut Haradinaj.

Edhe Zafir Berisha nga Nisma tha se mosdebatimi i kësaj vdekjeje shkakton dyshim.

“Ne deputetët e Nisma-s jemi që çështja e Deharit të bëhet publike e transparente. Moszgjidhja tash e sa ditë e kësaj enigme, lë vend për dyshim,” tha Berisha.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Zenun Pajaziti kërkoi hapje të debatit pas daljes së rezultateve të hetimit të vdekjes së Deharit.

“Sot kërkoj nga të gjithë që të ndriçohet nga organet kompetente që të dalin sa më shpejt me provat e argumentet. Duhet sa më shpejt që organet kompetente të dalin me sqarime. Edhe ne jemi për debat, por nuk është mirë që ne sot këtu të bënim drejtësinë para organeve të drejtësisë,” tha Pajaziti.

Ndërsa Ismet Beqiri kërkoi që kjo vdekje të mos përdoret për qëllime tjera.

“Në emër të grupit parlamentar të LDK-së bashkëndjejmë me familjen dhe ngushëllime familjes Dehari dhe kërkojmë që sa ma shpejt organet kompetente të dalin me rezultatet e tyre. E me këto rezultate, do të ishte më e vogël mundësia që ky rast tragjik të përdoret për qëllime tjera. Nuk ka asnjë qytetar të Kosovës që nuk ka interes të dalë e vërteta,” tha Beqiri.

Pastaj “Vetëvendosja” kërkoi që të futet në rend dite të mbledhjes së otme diskutimi për vdekjen e Astrit Deharit.

Për këtë kërkesë janë duke u deklaruar kryetarët e grupeve parlamentare.

Rezultatet e autopsisë në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit pritet të dalin deri në fund të javës.

Dehari vdiq më 5 nëntor derisa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.