Nga prezantimi i raportit “Diagnoza e Vendeve të Punës”. Foto: Kallxo.com

Në Kosovë ‘më Shpejt Rriten Pagat se Produktiviteti’

Në raportin “Diagnoza e Vendeve të Punës” të publikuar nga Banka Botërore në një takim me pjesëtarë të shoqërisë civile, anëtarëve të qeverisë, të sektorit privat thuhet se në Kosovë më shpejtë po rriten pagat sesa produktiviteti.

Duke iu referuar kësaj Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë në këtë takim ka bërë thirrje që të luftohet vendimi i qeverisë për rritje të pagave.

“Ministri i financave në fund të mandatit të kaluar tha se do ta detyroj sektorin privat të rris pagat e ne ju kemi kthyer duke ju thënë se ajo është kundër tregut të lirë, e ministri më nuk e ka thënë këtë”, tha Zeka.

Joformaliteti në Kosovë është mes më të lartëve dhe prek më së shumti të rinjtë, meshkujt, më pak të arsimuarit dhe banorët e vendeve rurale. Ndër më të prekurit nga joformaliteti janë të rinjtë mes moshës 15 dhe 24 vjeçare thuhet në raport.

“Rreth 36 për qind e të punësuarve janë në sektorin joformal. Punëtorët joformal janë në firma të vogla, anëtarët e papaguar të familjes, ose të vetëpunësuar në firma të vogla ose në profesione joprofesionale” shkruhet në serinë e pestë të raportit “Diagnoza e Vendeve të Punës” në Kosovë.

Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore në Kosovë, ka thënë se Kosova është vend i ri si historikisht ashtu edhe ekonomikisht.

“Ka arritur nivel të rritjes ekonomike mbi mesataren e vendeve të Ballkanit por jo rritje të kënaqshme. Rritja ekonomike ështl e shtyrë nga remitencat dhe konsumi”, ka shtuar Mantovanelli.

Ky raport ka gjetur se krijimi i kufizuar i vendeve të punës dhe zgjerimi i kufizuar i biznesit në sektorin e tregtueshëm janë nënprodukte të procesit të tanishëm të rritjes ekonomike.

“Kursimet vendore janë negative, rritja ekonomike e shty nga dërgesat e diasporës dhe ndihma. Për shkak të bazës së ngushtë së prodhimit e cila është e ngushtë, e padiversifikuar, jokonkurruese, kërkesa e qëndrueshme për konsum e krijuar nga dërgesat e diasporës është përmbushur kryesisht me importe”, theksohet në raport.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Bajram Hasani, ministër i Tregtisë dhe Industrisë i cili theks të veçantë vuri në programet arsimore që sipas tij duhet të përshtaten sipas trendit të fundit të industrisë.

“Sektori privat është i dominuar nga mikrobizneset që nuk kanë potencial të rritjes. Programet arsimore nuk janë të përshtatura sipas trendit të fundit të industrisë. Reforma arsimore në të gjitha nivelet është e domosdoshme për t’i përgatitur ata për tregun vendor dhe atë global”, tha Hasani.

Se duhet të bëhen reforma në kurrikulat shkollore është i pajtimit edhe Arian Zeka,  drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

“Bizneset ankohen për kurrikulat shkollore. Deri tani dëmi është bërë, duhet të korrigjohen këto gabime. Lidhja jodomosdoshmërisht me arsimin e lartë, ne kemi sugjeruar që kjo të filloj nga arsimi i mesëm i ulët, nga klasa e 6 deri në klasën e tetë”, tha Zeka.

Besim Beqaj, ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, poashtu ishte i ftuar në këtë takim si panelist por nuk ishte i pranishëm edhe pse e kishte konfirmuar pjesëmarrjen.

Një e gjetur tjetër e këtij raporti është edhe mosaktiviteti i lartë, veçanërisht mes të rinjve.

“Mosaktiviteti është i lartë veçanërisht mes femrave për shkak të përgjegjësive familjare, shërbimeve të dobëta të përkujdesit ndaj fëmijëve dhe të moshuarve dhe bindjeve të gabuara të punëdhënësve”, theksohet në raportin e publikuar nga Banka Botërore.

Shkalla e lartë e papunësisë vërehet më së shumti tek femrat e reja prej moshës 15 deri 24 vjeç.

Besnik Bislimi, profesor në Universitetin Amerikan të Kosovës shtoi se shkalla e papunësisë është shumë më e lartë se sa statistikat e kapin atë.

“Ne duhet ta vlerësojmë rritjen në bazë të potencialit dhe janë në bazë të vendeve të rajonit”, tha Bislimi.

Ai gjithashtu potencoi se nëse bëhet një anketë do të shihet se shumica e kosovarëve kërkojnë punë në bazë të modelit bilateral që është modeli më i keq për kërkim të punë dhe që qon në performancë të keqe.

Në raport theksohet se dallimi mes të punësuarve femra dhe meshkuj në Kosovë është më i madhi në rajon.

Disa nga barrierat e identifikuara në raportin e Bankës Botërore janë: çmimet e larta dhe kualiteti i dobët i infrastrukturës, klima e varfër për investime, risi të vogla dhe tregti të e jashtme e kufizuar, institucione të dobëta etj.

Pengesat në punë kufizojnë aksesin në mundësitë e punës, duke prekur grupet më të pafavorizuara, veçanërisht të rinjtë. Gratë, të rinjtë, punëtorët më të vjetër dhe minoritetet shpesh përballen me shumllojshmëri të problemeve.

Në raport janë përmendur disa nga arsyet që qëndrojnë prapa joaktivitetit të burrave dhe grave.

“Përgjegjësitë familjare, sidomos mes atyre më pak të arsimuara, disponueshmëria e ulët e kujdesit formal të fëmijëve, normat sociale dhe mungesa e fleksibilitetit të punës”, thuhet në raport si disa nga arsyet e joaktivitetit te grate.

Kurse si pengesa te burrat konsiderohen, besimi që asnjë vend pune nuk është në dispozicion, paga të larta të rezervuara dhe me shumë mundësi të bazuara në pagat e larta në sektorin publik.

Rritja ekonomike ekonomike ishte mesatarisht 3.4 për qind gjatë periudhës 2008 – 2015, dhe ekonomia ka performuar mirë edhe gjatë krizës financiare dhe recensioneve që i ka kapluar shumë nga vendet e tjera europiane. Megjithatë, rritja ekonomike nuk e ka zvogëluar papunësinë e cila ishte 32.9 për qind në vitin 2015. Papunësia më e lartë mes femrave, rreth 36 përqind dhe e rinisë mbi 57 për qind janë brenga të dukshme sociale, theksohet në të gjeturat e raportit “Diagnoza e Vendeve të Punës”.