Në Kosovë ka familje që s’kanë rrobalarëse, por kanë telefona mobilë

Të dhënat ASK-së tregojnë se pothuajse krejt familjet në Kosovë kanë telefona mobilë, por jo të gjitha kanë edhe rrobalarëse.

Janë rreth 98 për qind e familjeve në Kosovë që janë të pajisur me telefona fiks e mobil ndërsa 97 për qind me rrobalarëse.

“97.9% e ekonomive familjare janë të pajisur me telefon fiks ose telefon celular, 98.8% e ekonomive familjare janë të pajisur me TV, 96.8% e ekonomive familjare janë të pajisur me lavatriqe, 78.5% e ekonomive familjare janë të pajisur me makinë transporti dhe 64.6% e ekonomive familjare janë të pajisur me kompjuter”, thuhet në raport.

Ekonomia familjare përfshinë të gjithë personat që jetojnë në një shtëpi apo banesë të përbashkët dhe që kanë të përbashkëta mjetet kryesore të jetesës.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit-anketës, “Rezultatet e Anketës mbi të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës 2018”.

Sipas ASK-së, Anketa e të Ardhurave dhe Kushteve të Jetesës (AAKJ) mbulon të gjitha Ekonomitë Familjare në territorin e Republikës së Kosovës pavarësisht nga madhësia e tyre ose karakteristikat socio-ekonomike. Anketa e të Ardhurave dhe Kushteve të Jetesës (AAKJ) në vitin 2018 përfshin një mostër prej 4.500 ekonomi familjare.