Në Gllanasellë Premtohet Ndriçim Gjatë Votimit

Në klasat që shërbenin si vendvotime në Shkollën e Gllanasellës funksiononte vetëm nga një poç elektrik që nuk prodhonte dritë të mjaftueshme për votuesit dhe zyrtarët zgjedhorë.

Në njërën nga këto klasë për forcim ndriçimi u vendosën bateri dore mbi kutitë e votimit, ndërsa në një klasë tjetër një komisioner solli reflektorin nga shtëpia.

Valdet Nika, drejtori i shkollës “Xhevë Lladrovci” në Gllanasellë tha për KALLXO.com se askush nuk e kishte njoftuar se ka probleme ndriçimi gjatë votimeve të 4 dhjetorit, ndërsa tha se për to është informuar nga debati për zgjedhjet në Drenas i Emisionit “Jeta në Kosovë”.

“Unë si drejtor i shkollës nuk kam pasur kërkesë prej askujt gjatë ditës, por nuk kam pasur as ankesë që kemi problem me ndriçim, se përndryshe për 10 minuta kohë kishim intervenuar dhe e kishim rregulluar këtë çështje, por mbrëmë jam informuar përmes debatit,” tha drejtori Nika.

Qendra e votimit në shkollën e Gllanasellës ishte e vendosur në pjesën e vjetër të saj ku për shkak të djegies së llambave elektrike nga një trafo e vjetër, kiishte mungesë ndriçimi.

Shkolla “Xhevë Lladrovci” e ka edhe aneksin e saj të ri ku ndriçimi është i bollshëm, ndërsa drejtori i saj thotë se gjatë balotazhit të 18 dhjetorit qendra e votimit do të zhvendoset aty ku nuk ka problem me drita.

“Ditën e votimit ne do t’i ndërrojmë vendvotimet-prej aneksit të vjetër do t’i qesim në aneksin e ri. Unë besoj që do të ketë ndriçim të mjaftueshëm dhe nuk do të kenë probleme as komisionerët, as menaxheri i qendrës së votimit, as monitoruesit e zgjedhjeve sa i përket dritave, nuk do të jetë më problem i evidentuar në shkollën tonë,” tha Nika.

Drejtori Nika tha se edhe ndriçimi i katër klasave ku u votua më 4 dhjetor do të rregullohet.

“Unë si drejtor shkolle në bashkëpunim me komunën dhe me donatorë, do të mundohemi të rregullojmë ndriçimin edhe përgjatë natës pasi që tash rryma është e fortë por problemi brenda atyre katër klasëve është problem teknik që duhet me u rregullu për arsye se janë djegur në të kaluarën kur rryma ka qenë shumë e dobët,” tha Valdet Nika.

KALLXO.com shkroi për problemet me ndriçim në Glanasellë dhe Abri gjatë votimit në raundin e parë për kryetar të Drenasit.

http://kallxo.com/zgjidhja-kreative-ne-zgjedhjet-e-drenasit/

http://kallxo.com/votimet-bateri-ne-drenas/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri