Gjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin për vrasjen e Donjeta Pajazitaj dëshmoi vajza e të akuzuarit

Në gjykimin ndaj Naser Pajazitajt, i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitajt, dëshmoi vajza e tij, Arjeta Ukaj.

Gjatë dëshmisë së saj, Arjeta Ukaj u sfidua nga prokurorja e rastit, Valbona Dishaj-Haxhosaj, me deklaratat e dhëna pas vrasjes së ndodhur me 9 nëntor të vitit 2015.

Për ato deklarata, Ukaj i tha Gjykatës se në atë kohë ka qenë e stresuar dhe se nuk i kujtohej saktë deklarata e saj.

Ajo më tej tha se stresi i vinte nga arsyeja që besonte se babai i saj nuk ka mundur të kryente një vepër të tillë.

Ukaj, në pyetjet e prokurores, në lidhje me ditën kritike të vrasjes së Donjeta Pajazitajt deklaroi se kishte qenë me babanë e saj, Naser Pajazitaj te frizeri.

“Atë ditë të varrimit të Shefqet Zeqajt, paradite kam qenë me babin në Strellc te frizeri për me caktu termin të flokëve. Emri i saj nuk më kujtohet saktë, por dyqani ka qenë i mbyllur”, u përgjigj Ukaj në pyetjen e prokurores.

Pas kësaj përgjigjeje, prokurorja Haxhosaj e ballafaqoi dëshmitaren me dëshminë e dhënë në nëntor të vitit 2015, në të cilën kishte deklaruar ndryshe. Sipas prokurores, Arjeta Ukaj në atë kohë kishte thënë se në paraditen e ditës kritike, ajo kishte qenë me babanë e saj në zyrën e gjendjes civile.

E përballur me dëshminë e dhënë ndryshe, dëshmitarja Ukaj tha se nuk i kujtohej saktë çka kishte deklaruar atëbotë.

Prokurorja Haxhosaj ia rikujtoi dëshmitares dëshminë e saj në Polici, në të cilën, Ukaj kishte kërkuar të shikonte disa incizime. Në atë incizim, Naser Pajazitaj kishte deklaruar se kishte qenë me vajzën e tij te zyra e gjendjes civile, në paraditen e ditës kritike të vrasjes së Donjeta Pajazitajt. Me të shikuar të incizimeve, Ukaj i kishte thënë babait të saj, tash të akuzuarit, Naser Pajazitaj, se nuk kishte dalë nga shtëpia gjatë tërë ditës. Më tej, ajo i kishte thënë Naser Pajazitajt: “Këqyr babë me cilën çikë je konë”.

Pas këtij ballafaqimi, dëshmitarja Ukaj i tha gjykatës se nuk i kujtohet as kjo deklaratë në Polici.

Në lidhje me këtë ballafaqim, reagoi mbrojtësi i të akuzuarit Naser Pajazitaj, avokati Gëzim Kollqaku.

Avokati e kundërshtoi me arsyetimin se diskutimi i atëhershëm në Prokurori ishte bërë në mungesë të mbrojtësit.

Edhe pse dëshmitarja Arjeta Ukaj në vazhdimësi theksonte se nuk i kujtoheshin deklaratat e saja të mëhershme, kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi, ia kujtoi asaj se në fund të deklarimeve para nënshkrimit thuhet se e njëjta është bërë pa presion.

Ndërsa, dëshmitarja Arjeta Ukaj u përgjigj duke thënë se përsëri nuk i kujtohet.

Në kundërpërgjigje, kryetari i trupit gjykues i tha dëshmitares Ukaj se “është e çuditshme si të kujtohen detajet e gjërave e mos të kujtohen deklaratat e dhëna [në Polici dhe Prokurori]”.

Prezente në gjykim ishte edhe nëna e viktimës, Lumnije Pajazitaj, e cila pas këtyre përgjigjeve të dëshmitares reagoi duke thënë se “dëshmia e rreme është vepër penale”.

Naser Pajazitaj po rigjykohet si i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj, akuza këto për të cilat pas dy vitesh gjykim, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar të akuzuarin.

https://kallxo.com/si-u-gjet-e-vrare-donjeta-pajazitaj-provat-e-ekspertit-mjeko-ligjor/

Para trupit gjykues të përbërë nga kryetari Kreshnik Radoniqi dhe anëtarët Lumturije Muhaxheri dhe Sali Berisha, dëshminë e dha edhe Zeqir Zeqaj.

Kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi, ballafaqoi dëshmitarin me kohën e bisedave telefonike që kishte bërë me të akuzuarin Naser Pajazitaj në ditën e ngjarjes së ndodhur, mes orës 12:01 dhe 15:11, të cilat biseda kishin zgjatur më pak se një minutë.

“Unë nuk kam pasur komunikim me telefon me Naserin sepse jemi marrë vesh që do takohemi pas varrimit, por nuk e di që kam folur në telefon me të”, tha dëshmitari Zeqir Zeqaj.

Gjykimi i sotëm u ndërpre dhe u caktuan datat 25, 26 mars për leximin e provave materiale, mbrojtjen e të pandehurit dhe fjala përfundimtare.

https://kallxo.com/vrasja-e-donjeta-pajazitaj-gjykata-pritet-te-dale-ne-vendin-e-ngjarjes-ne-strellc-te-decanit/

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

I akuzuari Naser Pajazitaj dyshohet se më 9.11.2015, rreth orës 14:30, në bjeshkët e Strellcit, pikërisht te vendi i quajtur “Kroni i Lajthisë”, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Prokuroria pretendon se derisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, Naser Pajazitaj kishte ndaluar me makinë dhe e kishte marrë me vete dhe pasi kishin arritur te “Kroni i Lajthisë”, me dy të shtëna në kokë e kishte privuar nga jeta viktimën dhe me qëllim që të humbte gjurmët e kishte mbuluar me disa dru, për t’u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.

Ky rast është gjykuar njëherë dhe pas dy vitesh gjykim, Gjykata e Pejës në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn, mirëpo Gjykata e Apelit kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

https://kallxo.com/ekskluzive-arsyet-pse-apeli-e-ktheu-ne-rivendosje-rastin-e-vrasjes-se-donjeta-pajazitajt/

Për këtë vrasje ai ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues, duke u betuar se nuk ka të bëjë me vrasjen e kushërirës së tij.

https://kallxo.com/rrefimi-naser-pajazitajt-per-vrasjen-e-donjeta-pajazitajt/

Para se të mbahej kjo seancë, Gjykata kishte pranuar dy kërkesa, njëra nga avokati Gëzim Kollqaku i cili kishte kërkuar të shqyrtohen të gjitha provat materiale e veçanërisht duke pretenduar se pas xhipit të Naserit kishte kaluar edhe një veturë xhip tjetër.

Kërkesa tjetër për Gjykatën kishte qenë edhe e Shkëlqim Pajazitaj, i cili kishte kërkuar që t’i jepen fotografitë e trupit të Donjetës.

Ndërsa trupi gjykues tha se nëse ka kaluar ndonjë xhip tjetër pas Naserit do të trajtohet gjatë këtij gjykimi duke refuzuar kërkesën e të dëmtuarit Shkëlqim Pajazitaj për marrjen e fotografive të trupit të viktimës, për shkak se janë të ndjeshme, shqetësuese dhe duhet të mbrohen.