Foto: Kallxo.com

Në gjykimin për pronën 10 hektarëshe e presion ndaj biznesmenëve dëshmon një qiramarrës

Në gjykimin e Arben Bashotës, Sylejman Bajramit e Osman Bajramit, të cilët akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, është dëgjuar një qiramarrës në tokën kontestuese në Fushë Kosovë.

Dëshmitari Agron Hamiti, tregtar në firmën “Averex” e cila më herët kishte pasur lokacionin në tokën kontestuese, tha se ka nënshkruar kontratë mbi qiramarrje me të akuzuarin Osman Bajramin, ky i fundit i autorizuar nga “Xhavit apo Xhevat Bashota”.

Kjo ndërmarrje tashmë ka kaluar në një lokacion tjetër.

“I ka paraqitur dokumentet valide dhe në bazë të atyre dokumenteve është lidhë kontrata për qiramarrje e qiradhënie. Kontrata është bërë te noteri, e vulosur te noteri, kështu që për mua ka qenë çdo gjë në rregull”, shtoi dëshmitari.

Ai tha se ka paguar qira mujore 1100 euro, e më pas kanë lidhur edhe një kontratë tjetër për një lokal tjetër me qira mujore prej 750 euro.

E pyetur nga prokurorja speciale se a ka dëgjuar se Osman Bajrami dhe disa persona të tjerë janë burgosur pas një kohe, dëshmitari u përgjigj se ka dëgjuar nga policia hetuese.

“Pas asaj, një periudhë kohore i është paguar Agjencionit për Menaxhim dhe Sekuestrim Pronash. Por ka ardhë urdhër që të mos i paguhen Agjencionit ngase nuk është ditur kush është pronar i atij vendi dhe kujt do t’i shkojë qiraja”, theksoi dëshmitari.

Më pas, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, familjes Tërnava, avokati Skender Musa, e pyeti se a i kanë paguar shpenzimet e rrymës dhe ujit. Dëshmitari tha se këto janë paguar dhe theksoi se kanë shkuar në emër të Murat Tërnavës, i cili është i dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Ndërkaq, avokatja e të akuzuarit, Arben Bashota, Aurora Mulhaxha, e pyeti se a e ka pyetur ndonjëherë ai si qiramarrës të akuzuarin Osman Bajrami se pse faturat po dërgohen në emër tjetër, atij të të dëmtuarit Murat Tërnava.

“Po, e kam pyet. Më ka thënë e kemi lënë pas dore deri sa t’i vjen rendi për përkthim të emrit”, u përgjigj dëshmitari.

Po ashtu, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Sylejman Bajramit, Haxhi Millaku, dëshmitari Hamiti tha se asnjëherë nuk i është kontestuar kontrata nga ndonjë organ i shtetit.

Në fund, dëshmitari Haliti deklaroi edhe për takimin e tij me të dëmtuarin Murat Tërnava.

“E kam njoftuar vonë. Më është paraqitë pasi janë burgosur personat që u folën deri tash. Fillimisht më është prezantuar dhe më ka thënë se ky vend ka qenë gjithmonë i imi dhe ne do të jemi ata që do të merremi vesh për bashkëpunim të mëtutjeshëm për qiramarrje e qiradhënie”, përmbylli dëshmitari.

Në këtë rast Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, po akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.