Në Gjykimin e Togerit të Policisë Kërkohet Hedhja e Aktakuzës

Mbrojtja e Fadil Surkishit, toger i Policisë së Kosovës, kërkoi nga Gjykata që të hidhet poshtë aktakuza në rastin e tij.

Sipas aktakuzës, Surkishi, me detyrë në Stacionin Policor në Podujevë, akuzohet për keqpërdorim të detyrës.

Prokuroria pretendon se Surkishi ka ndikuar në dy raste të aksidentit të komunikacionit, duke kërkuar nga zyrtarët policorë që të ndryshojnë detajet e aksidentit dhe skicën e vendit të ngjarjes.

Avokati i tij, Sevdali Zejnullahu, ka parashtruar sot në Gjykatë kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Këtë kërkesë avokati e dorëzoi në kopje fizike në Gjykatë, derisa pas seancës për KALLXO.com tha se veprimet e të mbrojturit të tij kanë qenë në kuadër të autorizimeve ligjore si shef i Operativës.

“Provat mbi të cilat është mbështetur aktakuza në realitet po të analizohen në kuptimin e drejtë, objektiv dhe të paanshëm, e vërtetojnë pafajësinë e të mbrojturit tim”, tha Zejnullahu.

Ai tha se Gjykatës si provë mbështetëse i kanë bashkangjitur aktgjykimin e formës së prerë të rastit të komunikacionit që ndërlidhet me veprimet e Surkishit, e që është në përputhje të plotë me mendimin që ka dhënë i mbrojturi i tij.

Sipas tij, për rastet që ngarkohet Fadil Surkishi, skicat e paraqitura në raportin e aksidentit kanë qenë në shpërputhje me përshkrimin e rastit, për çka edhe ka ardhë deri këtu.

Më tej, avokati shtoi se veprimet e të mbrojturit të tij nuk kanë të bëjnë aspak me figurën e veprës penale që përshkruhet në aktakuzë.

Prokuroria ngarkon Surkishin për periudhën 2013-2014, me arsyetimin se në cilësinë e togerit në Stacionin Policor në Podujevë si shef i Operativës, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë në çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkelë të drejtat e personit tjetër.

Aktakuza ngarkon Surkishin se ka ndikuar në dy raste të aksidenteve të trafikut, ku i pari kishte ndodhur në fshatin Dumnicë, komuna e Podujevës, ndërsa i dyti kishte ndodhur në rr. “Skënderbeu” në Podujevë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Surkishi pretendohet se për këto dy raste ka ndikuar tek zyrtari policor – dëshmitari Behxhet Gashi, ku edhe e ka detyruar që raportin e parë të aksidentit ta ndryshojë në detajet e aksidentit dhe skicën e vendit të ngjarjes edhe pse dëshmitari Behxhet Gashi nuk ka qenë i pajtimit dhe lidhur me këtë ka bërë raport.

Derisa për aksidentin tjetër, prokuroria pretendon se ka ndikuar dhe e ka detyruar zyrtarin policor Fisnik Veseli, që kundër vullnetit të tij të bëjë ndryshimin e raporteve të aksidentit dhe ndryshimin e kallëzimit penal, mirëpo Fisnik Veseli po ashtu ka përpiluar raportin e oficerit duke dhënë arsyen e ndryshimit në raportin e aksidentit dhe kallëzimin penal për rastin në fjalë.

Me këtë ngarkohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.