Gjykimi i Ragip Begajt - Foto: KALLXO.com

Në Gjykimin e Ragip Begajt Kërkohet Hedhja e Aktakuzës

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë sot është mbajtur shqyrtimi i dytë kundër kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begajt, i cili akuzohet për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza e ngarkon drejtuesin e Komunës së Malishevës se, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil, e ka dëmtuar buxhetin e kësaj Komune.

“Duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Malishevës ka angazhuar Labinot Mazrekun në cilësinë e Menaxherit të Prokurimit në kuadër të Drejtorisë për Administratë të Përgjithshme, në Komunën e Malishevës dhe me të njëjtin më datë 07.02.2014, ka lidhë kontratë mbi vepër në kohëzgjatje prej 5 muaj dhe vazhdimin e saj prej datës 08.07.2014 deri më datë 09.09.2014, me të cilin rast para lidhjes së kontratës kjo komunë kishte të punësuar menaxherin e prokurimit dhe zyrtarë të licencuar të cilët posedonin certifikata të prokurimit për kryerjen e këtyre shërbimeve”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria pretendon se Ragip Begaj kishte ndërmarrë disa masa ndaj zyrtarëve të Prokurimit në kundërshtim me ligjin lidhur me disa keqpërdorime në Zyrën e Prokurimit.

“Po ashtu, ky i pandehur edhe pse e ka kuptuar se në zyrën e Haxhi Krasniqit (menaxherit të Prokurimit) ka pasur keqpërdorime, respektivisht ka humbur dosja e operatorit ekonomik “SHPK Albakos&NNSH Korben” Pejë-Gjakovë, i cili operator kishte parashtruar ankesë në OSHP…me të cilin rast i pandehuri pas pranimit të vendimit në procedurë të shpejtuar pezullon të gjithë zyrtarët e prokurimit nga puna me 50% pagesë prej datës 20.08.2014, edhe pse dosja ishte zbuluar dy ditë pas pranimit të vendimit dhe atë në zyrën e Menaxherit të Prokurimit edhe pasi që ky i pandehur kishte hetuar duke përfshirë këtu edhe përmes regjistrimeve të kamerave në zyrën e prokurimit lidhur me çështjen e dosjes së humbur…”, thuhet në aktakuzë.

Në shqyrtimin fillestar, më 26 shkurt, Begaj nuk e pranoi fajësinë.

http://kallxo.com/video-kryetari-i-malisheves-deklarohet-rreth-fajesise/

Në seancën e sotme, Emrush Kastrati, avokati i të akuzuarit Begaj deklaroi se mbetet pranë pretendimeve të parashtruara me shkrim me parashtresën e dorëzuar në Gjykatë dhe shtoi se i mbrojturi i tij ka vepruar në interesin publik.

“I mbrojturi im përkundër asaj që ka vepruar për ta mbrojtur interesin publik tani del si i akuzuar. Nuk qëndrojnë pretendimet e Prokurorisë që i mbrojturi im nuk e ka marrë veprime për humbjen e dosjes. Kjo nuk është e vërtetë se veprimet i ka marrë mbi vendimin e OShP-së“, theksoi avokati.

Avokati shtoi se veprimet janë marrë nga organet e Komunës, sepse i mbrojturi i tij nuk zhvillon procedura administrative, “por janë komisionet për ankesa”.

“Nga asnjë dëshmi e paraqitur nga akuza, nuk potencohet se këtu i mbrojturi im ka marrë veprime antiligjore, ndërsa ankesa e të dëmtuarit të gjitha rezultojnë që janë të pabazuara, prandaj Gjykatës i propozoj që ta hedh aktakuzën dhe ta pushojë procedurën penale ndaj të mbrojturit tim”, tha avokati Kastrati.

Ndërsa, prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, e kundërshtoi avokatin duke thënë se kundërshtimi i provave të aktakuzës nuk ka mbështetje, pasi që veprimet e përshkruara në aktakuzë e formësojnë veprën penale.

“Të gjitha theksimet nga kundërshtimi për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave sipas Prokurorisë nuk qëndrojnë, sepse të gjitha provat janë të pranueshme dhe të marra sipas ligjit. Prokuroria konsideron se nuk ka bazë për hedhjen e aktakuzës ngase ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të keqpërdorimit zyrtar. I akuzuari me dashje ka bërë shkeljen e ligjit”, tha prokurori Islami gjatë shqyrtimit të sotshëm gjyqësor.

Gjykata me aktgjykim të veçantë do të vendosë rreth pretendimeve të palëve në procedurë.