Gjykimi për vrasje - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin e babait për vrasje, djali rrëfen si e pa nënën të përgjakur

Në gjykimin e Xhafer Shkodrës, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, Rabe Shkodra, sot në Gjykatën e Gjakovës ka dëshmuar djali i tyre, Januzi.

Januz Shkodra tha se në momentin kur ka ndodhur vrasja ka qenë duke fjetur.

“Menjëherë kur kam dëgjuar zërat, kam dalë në ballkon dhe e kam parë nënën me gjak në pjesën e majtë të gjoksit”, tha dëshmitari.

Ai tregoj se kishte parë nënën e tij të mbështetur për mur dhe armën në tokë, në mes prindërve të tij.

“Unë kam qenë në dijeni që ajo armë ka qenë në shtëpi, por ka qenë e prishur, jo në funksion”, tha ai.

“Prindërit e mi kanë pasur raporte të mira. Ai as dhunë nuk ka përdorur”, tha Januz Shkodra.

Xhafer Shkodra po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës për vrasjen e bashkëshortes së tij, Rabe Shkodrës, dhe për armëmbajtje pa leje.

Më pas dëshmoi Danush Krusha, dhëndri i të akuzuarit Xhafer Shkodra.

Ai tregoi që raportet e të akuzuarit Xhafer me gruan e tij tani të ndjerë ishin shumë të mira.

“Atë ditë prej së largu kam dëgjuar bërtimat e familjarëve. Kam shkuar tek ata dhe jemi nisur për spital”, tha dëshmitari Danush Krusha.

Ai tha se Xhaferin e kishte parë të habitur dhe të tronditur.

“Gruaja ime Vjollca më ka thënë që vrasja kishte ndodhur pa qëllim”, tha ai.

“Kur kam biseduar me djemtë e Xhaferit, ata më kanë thënë që Xhaferi ka qenë duke e pastruar armën dhe arma ka shkrepur”, tha dëshmitari.

Më pas edhe dëshmitari Ferdinand Bushi “Danti”, fqinji i të akuzuarit, para gjykatës së Gjakovës tha se në mes Xhafer Shkodrës dhe gruas së tij asnjëherë nuk kishte vërejtur ndonjë mosmarrëveshje.

“Ditën e nesërme kam dëgjuar për rastin e ndodhur”, tha ai.

Dëshmitari tha se i akuzuari kishte konsumuar ndonjëherë alkool, por asnjëherë nuk e kishte parë të dehur.

“Kur kam dëgjuar për ngjarjen, unë kam qenë duke pirë kafe në pompë të benzinës dhe nuk kam besuar, bile edhe sot nuk më besohet që ka ndodhur sepse ata kanë qenë si Romeo dhe Zhulieta”, tha dëshmitari Ferdinand Bushi.

Ndërkaq kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani, i ndihmuar nga gjyqtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, caktuan datën 8 maj për rikonstruktimin e vendit të ngjarjes.

Në seancën e kaluar ishte dëgjuar edhe eksperti i balistikës Fejsal Lutfiu.

Aktakuza e Prokurorisë e rëndon Xhafer Shkodrën për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, i akuzuari Xhafer Shkodra ishte deklaruar i pafajshëm.

Ai kishte thënë se nuk ka pasur për qëllim ta vrasë gruan e tij dhe se e njëjta ishte vrarë “pa hiri”.

https://kallxo.com/rrefimi-i-xhafer-shkodres-gruan-e-vrava-pahiri/

Xhafer Shkodra gjendet në paraburgim që nga data 20 gusht 2018.

Sipas aktakuzës, për shkaqe ende të panjohura derisa i pandehuri Xhafer Shkodra dhe bashkëshortja e tij Rabe Shkodra ishin duke qëndruar në ballkonin e shtëpisë së tyre, i njëjti me një gjuajtje në gjoks në afërsi të drejtpërdrejtë e vret atë.

Aktakuza thotë se i pandehuri pas këtij momenti menjëherë është larguar ndërsa fëmijët e kishin dërguar nënën e tyre në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

https://kallxo.com/ekskluzive-prokuroria-rrezon-tezen-e-policise-se-vrasja-61-vjecares-ne-gjakove-ishte-aksidentale/

Ndërkaq komandanti i Policisë së Gjakovës, Kristë Gjokaj kishte thënë se dyshimet e para janë se incidenti është shkaktuar nga burri i saj dhe se janë vetëm dyshime për vrasje aksidentale.

Ndërsa dy ditë pas vrasjes së 61 vjeçares në Gjakovë, Prokuroria kishte ka ndërruar qasje sa i përket kualifikimit të ngjarjes, duke e rikualifikuar si “vrasje e rëndë”.

Sipas deklaratave të familjarëve respektivisht fëmijëve të tyre bashkëshortët kanë jetuar në harmoni dhe nuk kanë pasur probleme në mes vete dhe dyshimet e tyre janë se rasti ka qenë aksidental dhe se nëna e tyre në atë moment ka qenë duke e pastruar armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

Bashkëshorti i viktimës ishte larguar nga shtëpia dhe më vonë është arrestuar nga policia në lagjen e tij dhe bazuar në deklaratën e tij viktima kishte pasur armën në dorë të cilën ishte duke e pastruar dhe aksidentalisht i ka shkrepur.

https://kallxo.com/vrasja-e-gruas-hetimet-e-prokurorise-zbardhin-vrasje-ne-rastin-qe-policia-e-quajti-aksident/

www.kallxo.com