Gjykimi për krim të organizuar - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin e Arben Bashotës dëshmojnë bashkëshortja dhe vëllai i tij

Në gjykimin e Arben Bashotës, Sylejman Bajramit e Osman Bajramit, të cilët akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, janë dëgjuar katër dëshmitarë.

Dy nga dëshmitarët ishin familjarë të të akuzuarit Arben Bashota, gruaja e tij, Shemsija, si dhe vëllai, Xhaviti.

Përveç tyre në cilësinë e dëshmitarëve janë dëgjuar edhe përfaqësuesja e komisionit të likuidimit të palës së dëmtuar N.Sh. “Bujqësia”, Leonora Demaj, si dhe një qiraxhi në pronën kontestuese në Fushë-Kosovë.

Shemsije Bashota në pothuajse të gjitha pyetjet e prokurores së çështjes u përgjigj me “të gjitha i din burri”, pa dashur të komentojë më tej.

Që të dy, edhe Shemsije Bashota edhe vëllai i të akuzuarit, Xhavit Bashota, pretendojnë se pronën kontestuese e kanë blerë nga Marko Mitroviq, ky i fundit i liruar nga akuza për falsifikim të dokumenteve lidhur me parcelën kontestuese.

Por që Prokuroria pretendon se deri tek ky “pështjellim” ka ardhë si pasojë e falsifikimit të dokumenteve të bërë nga të akuzuarit.

Xhavit Bashota, vëllai i Arben Bashotës, deklaroi se pronën e kanë blerë 6 persona në vitin 2004, përfshirë këtu edhe Shemsijen, ku shitës ka qenë Mitroviq, tanimë i ndjerë, në vlerë prej afër 2 milionë euro.

Përqindje në këtë parcelë deklaroi se ka pasur edhe i ndjeri Ruzhdi Shaqiri.

Por habia e avokatit të familjes Tërnava ishte se si është e mundur që i akuzuari Arben Bashota të ketë kryer punët, e asnjëra pjesë e pronës të mos ishte në emër të tij.

“A e keni diskutuar ndonjëherë këtë çështje? Çka fshihet pas saj?”, e pyeti avokati vëllain e Arbenit.

“Unë sa e di prona për të ndërtuar në emër të njërit bashkëshort evidentihet pronë e përbashkët, Arbeni e ka pasë bashkëshorten aty”, ishte përgjigjja e dëshmitarit Bashota.

Më pas, avokati e pyeti se a kanë pasur me të dëmtuarin Murat Tërnava kontratë dhe i njëjti u përgjigj: “Jo, unë kurrë në jetë s’e kam pa, as s’e njoh”.

Pos familjarëve të të akuzuarit Arben Bashota, në seancë u dëgjua edhe Leonora Demaj, përfaqësuesja nga pala e dëmtuar N.Sh. “Bujqësia”.

Ajo në gjykatë deklaroi se kanë kundërshtuar ndryshimin e titullarit të pronësisë mbi parcelën në fjalë, ku edhe iu është bartur Marko Mitroviqit. Pas kësaj ndodhie, ajo më tej deklaroi se edhe kanë paraqitur kallëzim penal, ku tanimë edhe janë të dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Pas Demajt, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua edhe Jeton Veseli, qiraxhi në pronën kontestuese.

Veseli deklaroi se fillimisht ka lidhur kontratë me Osman Bajramin, i cili ka qenë i autorizuar për Xhavit Bashotën, ku edhe i ka paguar 1.000 euro qira përmes transaksioneve bankare.

Në pyetjet e parashtruara se a ka qenë në dijeni se objektet kanë qenë në emër të tani të dëmtuarit, Murat Tërnava, i akuzuari tha se nuk ka pasur rast të interesohej.

“Nëse nuk gaboj, ka qenë maji apo qershori kur ka ardhë Murati me Kujtimin, djalin e tij, ka ardhë në zyrë kemi biseduar, ma ka treguar situatën. Murati është lajmëruar dhe më ka treguar se ka qenë dhe është ndërtues i objekteve, si dhe pronar i objekteve. Më ka thënë që prej atij muaji nëse ne jemi të interesuar të zhvillojmë afarizmin duhet të bëjmë kontratë me të dhe ashtu ka ndodhë, e ndodhë edhe tash”, shtoi Veseli, ku theksoi se sot e kësaj dite vazhdon të jetë qiraxhi i Murat Tërnavës.

Ndryshe, Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor.