Gjykimi për përleshjen në Drenas - Foto: KALLXO.com

Në Gjykatë shikohen video-incizimet me pamjet e përleshjes në Drenas

Në gjykimin për përleshjen që ka ndodhur më 17 shkurt 2018, në Drenas, gjatë të cilës janë përdorur edhe armë dhe janë plagosur disa persona, janë shikuar video-incizimet nga vendi i ngjarjes.

Në këtë rast, i pandehuri Skender Gjeli po përballet me dyshimet për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, derisa 6 të tjerët, Halit Topalli, Shaip Topalli, Fadil Topalli, Arbenit Topalli dhe i mituri L.T., me veprën penale lëndim i rëndë trupor.

Përveç veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë, Gjeli po dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Pas shikimit të videos, mbrojtësi i të pandehurit Skënder Gjeli, avokat Haxhi Millaku, propozoi që të shikohet edhe njëherë video në xhirim të ngadalësuar për të evidentuar, sipas tij, në mënyrë të qartë veprimet e secilit pjesëmarrës në këtë incident, raporton www.kallxo.com.

Pasi u shikuan dy video incizimet, avokati Milaku pati një vërejtje për provat se këto dy video paraqesin kontradiktë të pjesshme të ngjarjes sepse në përshkrimin e dispozitivit të aktakuzës dhe nga video-incizimet kjo është rruga për qendër të Drenasit dhe në video shihet dëshmitari – taksisti që nuk ka qenë pjesë e dëshmisë nga ana e Prokurorisë.

“Këtu mungojnë edhe dy CD nga kamerat përballë te restoranti “Peshkopia” dhe lokali “Relaks”. Ndërsa nga njësia e Forenzikës nuk janë përfshirë edhe gjësendet që shihen në video si shufra e bejsbollit, shufra metalike, e duhet të jenë pjesë e administrimit të provave me të cilat janë shkaktuar lëndimet trupore”, tha avokati.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Arbenit Topalli, avokat Naim Rudari, tha se ka vërejtje rreth administrimit të provave materiale, shikimit të CD-ve, raporton KALLXO.com.

Ai propozoi të ftohet eksperti ligjor dr. Naim Uka, pasi që video nuk është e plotë për të shpjeguar se cilat goditje janë lëndim i fortë trupor.

https://kallxo.com/perleshje-ne-drenas-gjashte-te-plagosur/

Edhe avokati i të akuzuarit Fadil Topalli, Blerim Qela, pati vërejte në provat që u administruan dhe iu bashkëngjit kërkesë së avokatit Rudari që të ftohet eksperti  për t’i sqaruar lëndimet të cilat kanë ndodhur nga goditjet gjatë rrahjes në vendin e ngjarjes.

Prokurori i shtetit, Hivzi Bajraktari, tha se Prokuroria e posedon një CD në shkresat e lëndës dhe ketë nuk ka mundur në fillim t’ia propozojë Gjykatës sepse ka qenë e dëmtuar.

“Kam kërkuar nga Policia që të m’i siguroj kopjet e CD, dhe me këtë të pajisen edhe mbrojtësit e të akuzuarve  dhe këtë CD do ta siguroj brenda javës që të kemi në dispozicion për ta administruar si provë materiale”, tha prokurori.

Ndërsa, avokati Haxhi Millaku propozoi  të ftohet në cilësi të dëshmitarit okular taksisti që shihet në vendin e ngjarjes, i cili e dërgoi të pandehurin Skender Gjelin për ndihmë në ambulancë.

Prokurori Bajraktari e kundërshtoi propozimin sepse tha se sikur mos të ishin këto dy CD ku, sipas tij, shihet qartë ngjarja, sigurisht që do ta kishim ftuar taksistin të dëshmojë lidhur me rastin. “Mirëpo gjithçka rreth kësaj ngjarjeje e pamë në video”, tha ai, raporton KALLXO.com.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Mustafë Tahiri, pas këshillimit lidhur me propozimin e palëve, mori aktvendim që ta aprovojë propozimin e mbrojtësve Afrim Tasholli, Naim Rudari dhe Blerim Qeli që të ftohet eksperti mjeko-ligjor Naim Uka.

Ndërsa refuzoi propozimin e avokatit Haxhi Millaku që të ftohet taksisti për të dëshmuar, pasi që pas  administrimit të provave materiale, gjegjësisht shikimit të video-incizimeve, konstatoi se nuk është e nevojshme ky dëshmitar të dëgjohet sepse video është e mjaftueshme lidhur me këtë rrethanë.

Po ashtu, trupi gjykues refuzoi edhe propozimin e avokatit Mllaku për shikimin e videove të kamerave të restorantit “Peshkopia” dhe lokali “Relaks”.

Po ashtu, trupi gjykues e refuzoi kërkesën e avokatit Millaku që klientit të tij t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak.

Seanca e radhës do të mbahet më 11 dhe 12 dhjetor.

https://kallxo.com/gjykata-rivendos-per-te-dyshuarit-per-plagosjen-e-17-shkurtit-ne-drenas/

Sipas Prokurorisë së Prishtinës, më 17 shkurt, rreth orës 16:22, në rrugën “Xhevat Demaku”, në Drenas, saktësisht në udhëkryqin që lidhet me rrugët tjera, derisa të pandehurit Halit Topalli, Shaip Topalli, Mendrit Topalli, Fadil Topalli, Arbenit Topalli dhe L.T., kanë qenë duke lëvizur me veturat e tyre në drejtim të shtëpisë së shëndetit, i ka vërejtur Skender Gjeli dhe ka vrapuar disa metra pas veturës së fundit të tipit “BMW”.

Më tej, Prokuroria pretendon në atë moment janë ndalur të tri veturat, ndërsa i pandehuri Skender Gjeli me të arritur te xhami i derës së parë, të anës së djathtë, ka shtënë me revolen e tipit “Glock”.

Më pas të pandehurit Halit, Shaip, Mendrit, Fadil, Arbenit dhe L.T. kanë dalë nga tri veturat dhe e kanë sulmuar fizikisht të pandehurin Skender, duke e goditur me mjete të forta si shkopinj të drurit, shkopinj të metalit, shufër metalike të ngjashme me atë të policisë.

Prokuroria thotë se gjatë përleshjes, i pandehuri Skender Gjeli disa herë kishte shtënë me armë në drejtim të të pandehurve tjerë.

Si rezultat i këtyre, prokuroria pretendon se lëndime trupore me armë zjarri kanë pësuar të pandehurit Mendrit, Arbeniti, Fadili dhe L.T., derisa të pandehurit Shaip, Halit dhe Skender kanë pësuar lëndime trupore me mjete të forta.

Prokuroria pretendon se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi që “ekziston rreziku i arratisjes, mund të ndikojnë në mbledhjen e provave apo te njëri tjetri, meqenëse asnjëri ende nuk është deklaruar në polici”.

Një arsye shtesë se përse prokuroria ka kërkuar paraburgimin e tyre është se të njëjtit kanë pasur edhe më herët mes vete konflikte të cilat janë të evidentuara edhe në stacion policor. Si rrjedhojë, ekziston rreziku që vepra e tentuar të përsëritet, apo edhe të përfundohet.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast më 17 shkurt.

Policia të nesërmen kishte raportuar për arrestimin e të dyshuarve.