Foto: Komuna e Gjilanit

Në Gjilan u përurua busti i ish-presidentit, Ibrahim Rugova

Në komunën e Gjilanit sot është përuruar busti i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se rikthimi i pamjes së presidentit Rugova në Gjilan është vetëm respekt i vogël për punën e madhe që e ka bërë Rugova.

“Po tregohet qartë se sa është e madhe zbrazëtira nga mungesa e tij fizike, në politikbërje edhe në vendin tonë, se sa është e madhe mungesa e tij në shtetndërtimin e Republikës sonë, në përfaqësimin e Republikës tonë te miqtë kudo në botë dhe se sa është formati i tij politik i madh që nuk mund të mbulohet nga askush tjetër”, ka thënë Haziri, pas ceremonisë së zbulimit të bustit.

Në këtë ngjarje kanë folur edhe veprimtarët e çështjes kombëtare në mërgatë, Ismet Murtezi e Lulzim Maliqi, të cilët kanë deklaruar se ndihen të privilegjuar që janë pjesë e inaugurimit zyrtar të bustit të presidentit Rugova.