Në Ditën e Evropës premiera e re e baletit  ‘Pristine Conditions’

Baleti Kombëtar i Kosovës do të shfaqë javën e ardhshme premierën e baletit “Pristine Conditions” me koreografi të Arthur Kuggeleyn.

Premiera “Pristine Conditions”, një shfaqje bashkëkohor, e përcjellë me elemente të lëvizjeve abstrakte, do të shfaqet më 9 maj 2019 në 20:00 në BKK.

Sinan Kajtazi, balerin dhe ushtrues i detyrës i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, ka pohuar për KALLXO.com se shfaqja  “Pristine Conditions”, është premiera e dytë për këtë vit e realizuar nga ky institucion, dhe e treta e realizuar me holandezin Arthur Kuggeleyn.

“Vite më parë ky koreograf ka bërë edhe koreografinë e shfaqjeve “Oh my God” dhe “Friendly Fire”, të BKK-së. Vlen të theksohet që BKK me shfaqjen ‘Oh my God’, ka marrë pjesë në festivalin prestigjioz “Zurich Theater Spektakel”, në Cyrih të Zvicrës, në vitin 2011’, ka thënë Kajtazi.

Në shfaqje interpreton trupa e BKK-së, ndërsa asistentë-koreografë janë Teuta Krasniqi dhe  Kreshnik Musolli. Muzika është realizuar nga Christian Meyer, kurse kostumet nga Shemsi Avdiu.