Në 46 raste Policët e Kosovës përplasën makinat

Gjatë vitit 2018, Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar raste të ndryshme në drejtim të veprave të ndryshme penale për zyrtarët policor.

Veprat që u hetuan më së shpeshti në vitin paraprak, ishin për rrezikim të trafikut public, keqpërdorim të pozitës, lëndim i lehtë trupor, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe manipulim me prova.

Në raportin vjetor të Inspektoratit Policor të Kosovës, tregohen shifrat për veprat penale të cilat janë hetuar gjatë vitit të kaluar.

Në 46 raste, zyrtarë policor të Policisë së Kosovës u hetuan për shkaktime të aksidenteve në komunikacion.

Krahasuar me vitet e më hershme, për të njëjtën vepër, 45 zyrtarë policor u hetuan më 2016, 54 në vitin 2017.

27 polic u hetuan për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar vetëm gjatë vitit 2018, ndërsa krahasur me vitet e më hershme, 32 janë hetuar në vitin 2017, 39 në 2016.

“Vlen të theksohet se ka trend të rënies së veprave penale rrezikim i trafikut public dhe kepërdorim i detyrës zyrtare”, thuhet në raportin e IPK-së.

Në 23 raste policët janë hetuar për rrahje. Krahasuar me vitet paraprake, 3 raste më pak se vitin 2018 ishin hetuar në vitin 2017 ndërssa në vitin 2016 ishin hetuar 31.

Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ka qenë një vepër tjetër e cila hynë në pesë veprat e shpeshta që hetohet nga IPK.

Në vitin 2018 për këtë vepër janë hetuar 19 polic, 15 në vitin 2017 dhe 14 në vitin 2016.

Pesë polic në vitin 2018 janë hetuar për manipulim me prova, ndërsa vitin 2017 ishte hetuar vetëm një e vitin 2016 dy.

“Shqetësuese mbetet ngritja e numrit të rasteve për ketrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, lëndim I lehtë trupor dhe manipulim me prova”, thuhet tutje në raportin e IPK-së.