Në 2018-ën, të hyrat dhe shpenzimet e Qeverisë, në garë me njëra-tjetrën

Thënia e vjetër popullore “sa ke, aq harxhon”,  referuar menaxhimit të pasurisë, duket se ka ardhur në funksion në qeveritë e Kosovws.

Përkundër se të hyrat e përgjithshme Qeveritare u rritën në vitin 2018-të në raport me një vit më parë, me rritje ishin edhe shpenzimet.

Raporti i fundit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për Llogaritë Qeveritare për vitin 2018-të, tregon se të hyrat dhe shpenzimet ishin më të larta në vitin 2018-të në raport me një vit më parë. Për dallim nga tatime në produkte që më së shumti kontribuuan në mbushjen e arkës, pagat dhe kontributet sociale u kujdesën ta zbrazin atë.

Në vitin që shkoi, qeveria e vendit kishte të hyra mbi 2 miliardë euro. Krejt kjo falë tatimeve në produkte që përbënin mbi 60 për qind të hyrave të përgjithshme.

“Të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2018 ishin 2 006.1 milionë Euro. Pjesën më të madhe të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 67% të totalit të hyrave;  tatimet rrjedhëse në të ardhura, pasuri, etj. 14%; ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë  në kategori të tjera të të hyrave.”, thuhet në komunikatë.

Bazuar në raportin e ASK-së, të hyrat qeveritare paraqesin një rritje prej 84.9 milionë euro në krahasim me vitin 2017-të. Shprehur në përqindje paraqet një rritje mbi 4 për qind.

Në vitin 2017-të, të hyrat e përgjithshme qeveritare e kishin vlerën e 1 miliardë e 921.2 milionë euro.

Në periudhën katërvjeçare, 2015 deri 2018, këto të hyra shënuan një trend rritës.

Nga sa ishin 1 miliardë e 706.1 milionë euro në vitin 2015-të, ato u rritën në 2 miliardë e 6.1 milionë euro në vitin 2018-të.

Referuar të dhënave zyrtare të ASK-së, të hyrat e përgjithshme të Qeverisë,  mesatarisht çdo vit ishin në vlerën e 1.8 miliardë eurove.

Në anën tjetër, në vitin 2018-të, shpenzimet qeveritare që e kalojnë shifrën e 1.9 miliardë euro, më shumë se gjysma e tyre u shpenzuan për paga e mëditje dhe kontribute sociale

“Në vitin 2018, totali i shpenzimeve të Qeverisë së Përgjithshme ishte 1 978.0 milionë Euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë pagat dhe mëditjet me pjesëmarrje 30%; formimi i bruto kapitalit fiks me pjesëmarrje 25%; kontributet sociale dhe përfitimet, me pjesëmarrje 24%; konsumi i ndërmjetëm, me pjesëmarrje prej 11%; ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.”, bën të ditur komunikata.

Ndërsa sipas klasifikimit, në raportin e ASK thuhet se në vitin 2018 shpërndarja e shpenzimeve në çështjet ekonomike 23 për qind, mbrojtja sociale 22 për qind, arsimi 15 për qind, shërbimet e përgjithshme 12 për qind, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në sektorët e tjerë.

Sikurse të hyrat, ashtu shpenzimet ishin më të larta në 2018-ën se një vit më parë. Në vitin 2017-të shpenzimet e përgjithshme Qeveritare nga 1 miliardë e 836.2 milionë sa ishin në vitin 2017-të, ato u rritën në 1 miliardë e 978 milionë euro. Që paraqet një rritje perj 141.8 milionë euro apo shprehur në përqindje paraqet një rritje rreth 8 për qind.

Shpenzimet kanë shënuar një trend rritës nga 2015-ta e këndej. Nga 1 miliardë e 612.3 milionë euro u rritën në 1 miliardë e 978 milionë euro në vitin 2018-të.

Raporti i publikuar i “Llogaritë Qeveritare të Kosovës për vitin 2018”, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.