Ndryshimi i territoreve-kufijve përbën shkelje të Kushtetutës

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës tha se lëvizja dhe ndryshimi i territoreve është jashtkushtetuese dhe e paligjshme.

“Diskursi rreth dialogut flitet sikur të mos kishte asnjë ditë përvojë si shtet sovran. Çështja e pozitës së shefit të shtetit nën një shtet si është Kosova shefi shtetit nuk është shef i ekzekutivit. Çështja e disponimit me territore është çështje e sovranit. Kosova kur është krijuar si shtet ka treguar që rasti i Kosovës nuk ka ekzistuar kurrë më herët dhe jemi sui-generis. GjND ka thënë që ne e njohim Kosovën me atë territor që ka qenë në ditën e shpalljes së pavarësisë. Çdo nënshkrim i çdo marrëveshje që bëhet jashtë organeve kushtetuese nuk është e ligjshme. Kosova nuk është shkëputur nga ish-Jugosllavia, por nga Serbia dhe ne trashëgojmë të gjitha të drejtat dhe detyrat. Nëse futem jashtë lojës së politikes së GND ne pranojmë standardet e krijuara nga Serbia për shkëputje të territorit”, tha ai.

Këto deklarata Hasani i bëri në tryezën me temë “Humbësja e madhe e dialogut: Diskutim mbi parimet dhe strategjitë që parandalojnë institucionet e Kosovës të zhbëjnë karakteristikat unike të Kosovës”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Analisti politik Belul Beqaj, ekspert i procesit të Dialogut Kosovë-Serbi, tha se arsyet pse shqiptarët në Serbi dhe serbët në Kosovë janë të pakënaqur, të pasigurt e ndjejnë vetën të pa barabartë nuk kanë të bëjnë me territoret ku ata jetojnë, po me mënyrën se si po qeveriset në pushtetet në ato territore.

‘Në rastin e Serbisë nëse shqiptarëve të Luginës iu bëhet zgjedhja, mbeten të pazgjidhura çështja e pakicave tjera. Në rastin e Kosovës situata komplikohet sepse një pjesë e serbëve e zgjedhin problemin duke iu bashku Serbisë. Ndërsa pjesa tjetër që jetojnë jashtë veriut do të ballafaqohen edhe me probleme më të mëdha. Korrigjimi nuk është zgjidhje afatgjate e as e qëndrueshme. Korrigjimi është nxitje për formimin e shteteve etnike të cilat me kohë homogjenizohen”, deklaroi Beqaj.