Ndryshimet në drejtoritë e Policisë së Kosovë, drejtori tregon pse u bënë ato

Që nga ardhja në krye të Policisë së Kosovës, drejtori i Përgjithshëm i PK-së Samedin Mehmeti, ka degraduar në pozitë disa ish- drejtor të cilët ishin në krye të departamenteve kyçe në polici.

Mehmeti sot në Komisionin parlamentar për Siguri, i shoqëruar nga Gazmend Hoxhaj dhe Fehmi Hoti, dha detaje për ndryshimet që kanë ndodhur në polici, porse këto nuk deshi t’i quaj degradime.

Ish- drejtori i Departamentit të Operacioneve Afrim Ahmeti, është larguar nga ajo pozitë ndërsa tani udhëheqës i këtij departamenti është Gazmend Hoxhaj.

Ish- drejtori i Kufirit Shaban Gudaj është ndërruar me Ragip Bunjakun i cili ende është Ushtrues Detyre në këtë departament.

Drejtorinë e Hetimeve tani po e udhëheq Arben Paçarizi në vend të ish- drejtorit Riza Shillova.

Ky i fundit është pozicionuar, sipas Mehmetit, në Drejtorinë për Planifikim Strategjik, për të cilën drejtori thotë se është pozitë e rëndësishme.

“Kolegu në fjalë është një aset shumë i çmuar dhe është duke punuar në atë drejtori. Është duke kryer punë, që për ne, janë shumë të rëndësishme që është harmonizimi i normave të brendshme që fatkeqësisht kanë shpërputhje edhe në raport me legjislacionin. Është një jurist shumë i mirë dhe mendoj se mundet me dhanë kontribut shumë në këtë drejtori”, tha Mehmeti.

Gjithashtu drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Mehmeti ka treguar që në vend të ish- Ushtrueses së Detyrës së Departamentit për Shërbime Mbështetëse, Vjollca Balaj tani është Fatmir Bajrami.

Për të gjitha këto ndryshime në Policinë e Kosovës, Mehmeti ka thënë se nuk janë shkarkime apo degradime, sepse të njëjtit që janë larguar nga pozitat e larta, punojnë ende në Policinë e Kosovës.

Madje ndryshimin e këtyre pozitave, Mehmeti e arsyetoi me humbje kreativiteti, duke theksuar se kjo ndodh me ata që ushtrojnë një detyrë për një kohë të gjatë.

“Ne zakonisht çdo ndryshim që ë bëjmë në polici, e bëjmë për qëllim të përmirësimit të performancës por është edhe një çështje tjetër, që zakonisht në punën policore është një problem që njerëzit që ushtrojnë një detyrë për një kohë të gjatë, e humbin kreativitetin, e humbin mënyrën e asaj që ne në organizatë jemi për të dhënë më shumë”, tha Mehmeti.

Ai shtoi se si drejtor po tenton që personat me eksperienca në departamente të caktuara t’i “shfrytëzoj” me punën e tyre duke u dhënë mundësi që të kontribuojnë me kreativitet dhe përvojë nga terreni.

“Në shumë shtete, është e rregulluar me ligj dhe asnjë drejtor i departamentit apo funksionar i policisë, nuk mund të qëndroj më shumë se 4 vjet. Unë nuk e shoh aspekt negativ, edhe këta që kanë kaluar në detyra tjera sepse nuk e quaj shkarkim fare, kalimi prej një pozite në një pozitë tjetër nuk është shkarkim është përvojë e re, unë gjatë karrierës sime kam ndërruar disa pozita”, tha Mehmeti.