Ndotje e lartë e ajrit në Prishtinë dhe Gjilan

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njofton se ndotja e ajrit ne Prishtinë e Gjilan sonte është e lartë.

Sipas Institutit, këto janë të dhënat e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

“Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit” thuhet në komunikatë.

Në mesin e shumë faktorëve sipas IKSHPK-se burime potencialisht ndotëse tashmë të njohura janë termocentralet dhe përdorimi i ngrohjes në sezonin e dimrit.

Instituti rekomandon që të implementohet Plani i Veprimit i nënshkruar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe të bëhet implementimi i programeve kombëtare dhe projekteve të përbashkëta për fushën e aerondotjes.

“Inspektorati shëndetësor të kontrolloj raportimin ditor të sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare nga të gjitha institucionet shëndetësore të kujdesit parësor, dytësor dhe tretësor (veçanërisht QKMF Prishtinë dhe Klinika Emergjente, SHSKUK)” thotë IKSHPK.

Ekspertët e Institutit alarmojnë se nëse nuk merren masa pasojat ne shëndetin e qytetarëve do të jenë të mëdha.

Kujdes të shtuar sipas tyre të tregojnë personat me sëmundje kardiovaskulare, gratë shtatzëna, fëmijët e personat astmatikë.