Ndihmë Gjermane për Agjencinë e Forenzikës
Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni tha se pranimi i programit dhe pajisjeve të audiove dhe zërit është akt i perfeksionimit të mëtejmë të Agjencisë Kosovare të Forenzikës.
“Kjo është bërë e mundshme me donacionet dhe zemërgjerësinë e partnerëve të Kosovës në botë. Ne edhe sot zotohemi se këtë partneritet do ta vazhdojmë në funksion të përmirësimit të sundimit të rendit dhe të ligjit,” tha Hyseni.
Ministri falënderoi qeverinë gjermane që dha 45.000 euro për këto pajisje.
” Populli i Kosovës do të jetë mirënjohës dhe do t’ua shpërblejë përkrahjen e cila është e vazhdueshme, jo vetëm me fjalë mirënjohjeje, por edhe me prova të prekshme në luftimin e të gjitha llojeve të krimit dhe korrupsionit,” tha Hyseni.
Drejtori i Departamentit për Siguri Publike në OSBE Aake Roghe tha se 15 vjet më parë policia dukej më ndryshe, nuk kishte një sistem të avancuar dhe kriminaliteti ishte më i madh.
Kryeshefi në Agjencinë Kosovare të Forenzikës Blerim Olluri, tha se në ditët e sotme provat shkencore po luajnë rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në zbardhjen e veprave penale.
Olluri shtoi se gjyqësori, prokuroritë dhe zbatuesit e ligjit po mbështeten fuqishëm në ekspertiza.
“Agjencia Kosovare e Forenzikës me kërkesën e organeve të drejtësisë ofroi mbi 5.000 ekspertiza me mbi 30.000 prova materiale me një cilësi të lartë sipas normave ndërkombëtare,” tregoi Olluri.
Olluri më tutje shtoi se këto pajisje kanë rol të madh në ekpertizën në procedurë.
Ai tha se gjatë dekadës së fundit kërkesa për ekspertizë së audios dhe zërit është rritur shumë dhe se këto pajisje do t’u mundësojnë hetuesve dhe zbatuesve të ligjit të sigurojnë më shumë prova materiale.
Vitin e kaluar laboratorët e Agjencisë së Forenzikës u certifikuan për analiza të ADN-së dhe narkotikëve dhe për ekspertizë dokumentesh e gishtërinjsh.
http://kallxo.com/laboratori-i-forenzikes-gati-per-analiza-te-adn-se-dhe-narkotikeve/
http://kallxo.com/akreditim-laboratoresh-per-gjurme-gishterinjsh-dhe-dokumente/