Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Ndihet i Pafajshëm i Akuzuari për Vrasje në Tentativë

I akuzuari për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, Adrion Kelmendi, ka dalë para trupit gjykues të Gjykatës në Gjakovë për t’u përballur me veprat penale që i vihen në barrë.

I pyetur nëse ndihej fajtor apo i pafajshëm, i akuzuari ka thënë se ndihet i pafajshëm për veprën e parë – vrasje në tentativë, ndërsa për të dytën e ka pranuar fajësinë.

Sipas mbrojtjes nuk qëndrojnë pretendimet e Prokurorisë se i akuzuari ka kryer vepër ashtu siç cilësohet në dispozitiv të aktakuzës, “sepse të gjitha provat si ato personale dhe të natyrës materiale të orientojnë për një vepër krejtësisht tjetër”, raporton kallxo.com.

“Këtu kemi të bëjmë me lëndim trupor, se çfarë lëndimi është kemi edhe ekzaminimin e mjekëve, ku përcaktojnë natyrën e lëndimit. Në këtë fazë nuk do të lëshohem me analizu çdo provë, sepse këto bëhen në një fazë tjetër të procedurës. Duke pasur gjendje të tillë të provave, ku ato tregojnë për një vepër shumë më të lehtë, ku pesha e asaj vepre në asnjë mënyrë nuk e arsyeton masën e paraburgimit në të cilën gjendet tani”, tha Ndrecë Dodaj, raporton KALLXO.com.

Sipas aktakuzës, Adrion Kelmendi me datë 25.10.2017 në Çarshinë e Vjetër, respektivisht kafeneja “Garden House”, në Gjakovë, me dashje  që ta privojë nga jeta të dëmtuarin Besfort Hajdaraj, ka dalë nga automjeti i tij dhe pas i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët: “Çka po më këqyrë?”, ka nxjerrë pistoletën nga brezi dhe ka shtënë 3 herë në drejtim të tij, duke e goditur në shputën e djathtë, përkatësisht në gishtin e vogël, me ç’rast të dëmtuarit Besfort i shkakton dëmtime të lehta trupore.

Me çka ka kryer veprën penale – vrasje në tentativë.

Shqyrtimi i radhës mbahet në prill.