Ndeshja e Basketbollit Përfundon me të Arrestuar

Shtatë persona janë arrestuar mbrëmë pas ndeshjes së basketbollit në mes të Sigal Prishtinës dhe Pejës, e zhvilluar në kuadër të Kupës së Kosovës, në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë.

Të ndaluarit dyshohet të kenë marrë pjesë në përleshjen me zyrtarët e Policisë.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, tha për KALLXO.com se të lënduar në këtë incident nuk ka dhe se të arrestuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorisë janë dërguar në mbajtje, me përjashtim të njërit, G.I., i cili me urdhër të prokurorit është liruar me procedurë të rregullt.

Sipas raportit të Policisë, tifozët e të dy skuadrave sulmuan policët që po kujdeseshin për sigurinë e ndeshjes, si dhe kanë dëmtuar pronën.

Tifozët prishtinas akuzohen edhe se kanë sulmuar autobusët e mysafirëve nga Peja.

Në raport thuhet po ashtu se njëri nga të arrestuarit ka dëmtuar karriget e palestrës dhe i ka hedhur ato në drejtim të kundërshtarëve.

Për këto vepra janë ndaluar shtetasit me inicialet K.S., C.G., E. A., L. L., R.K., M. SH., dhe D.O.