Ish-prokurori Bajram Hamitaga | Foto: KALLXO.com

Ndërpritet Seanca e Gjykimit të Prokurorit Hamitaga

Seanca e gjykimit të prokurorit Bajram Hamitaga dhe ish-shoferit të Prokurorisë së Prizrenit Luan Delili u ndërpre pas një pauzë, pasi i akuzuari Delili pati probleme shëndetësore.

Para se të ndërpritej seanca, u administrua si provë një CD.

Seanca e kaluar e këtij gjykimi e mbajtur më 23 shtator ishte shtyrë, ngase CD-ja që u administrua sot si provë, atë ditë nuk hapej.

në këtë proces gjyqësor prokurori Bajram Hamitaga akuzohet për keqpërdorim detyre, ndërsa Luan Delili për frikësim ndaj procedurës penale.

Hetimet ndaj Hamitagës dhe Delilit filluan menjëherë pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në maj të këtij viti, në të cilin prokurori akuzohej se ka kërkuar favore nga një i dyshuar ndaj të cilit ai po i zhvillonte hetimet.

http://kallxo.com/prokurori-rrefen-per-kositesen-qe-e-rregulloi-te-akuzuari/

Aktakuza ndaj Hamitagës dhe Delilit u ngrit nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 26 shtator.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Prokurori Hamitaga Dyshohet se Kërkoi Ryshfet nga i Akuzuari

I  pandehuri i dytë i këtij rasti, Luan Delili, më 8.4.2016, akuzohet se  me anë të premtimit e ka nxitur personin tjetër që të përmbahet nga dhënia e deklaratave, në mënyrë që të tërhiqet nga dhënia e deklaratave që i ka dhënë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren, se i pandehuri i parë B.H., ka kërkuar 5.000 euro, me çka ka kryer veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale.

http://kallxo.com/negociatat-e-korrupsionit-ne-prizren-video/

Hamitaga dhe Delili janë deklaruar të pafajshëm në pretendimet e prokurorisë.

Gjykimi i Hamitagës dhe Delilit do të vazhdojë më 5 dhjetor.