Gjykimi për tentim vrasje - Foto: KALLXO.com

Ndërpritet gjykimi për tentim vrasje, i akuzuari kërkon marrëveshje

Gjykimi në Gjykatën Themelore në Gjakovë në rastin e Adrion Kelmendit nga Kramoviku i Rahovecit nuk u mbajt pasi që avokati i tij, Ndrec Dodaj, kërkoi nga trupi gjykues që të ndërpritet gjykimi.

“I nderuar gjykatës kërkoj nga ju që të ndërpritet ky gjykim për arsye se është e mundur të arrihet një marrëveshje për pranimin e fajësisë nga i mbrojturi im”, tha Dodaj.

Kërkesën e avokatit nuk e kundërshtoi as prokurori i çështjes Ali Uka.

Me këtë propozim u pajtua edhe kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, duke pritur që Gjykata brenda 3 ditëve të njoftohet nga palët për arritjen ose mosarritjen e marrëveshjes.

Pasi që në seancën e kaluar është pyetur nëse ndihet fajtor apo i pafajshëm, i akuzuari ka thënë se ndihet i pafajshëm për veprën penale të vrasjes në tentativë, ndërsa për armëmbajtjen pa leje ka pranuar fajësinë.

I njëjti gjendet në paraburgim nga data 17 janar e këtij viti.

http://kallxo.com/ndihet-i-pafajshem-i-akuzuari-per-vrasje-ne-tentative/

Sipas aktakuzës, më 25 tetor 2017,në Çarshinë e Vjetër, respektivisht te kafeneja “Garden House” në Gjakovë, Kelmendi ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Besfot Hajdaraj nga fshati Hereq i Gjakovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari ka dalë nga automjeti i tij për në drejtim të të dëmtuarit Besfort me fjalët “çka po më këqyr”, ka nxjerrë pistoletën dhe ka shtënë tre herë duke e goditur në shputën e djathtë, përkatësisht në gishtin e vogël duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në këmbën e djathtë, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

I njëjti në kundërshtim me ligjet e zbatueshme lidhur me armët apo materiet plasëse të tilla, ka pasur në pronësi dhe posedim armën e tipit “Takarov”, e cila është gjetur nën urën e fshatit Kramovik dhe është sekuestruar nga Policia, thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime i akuzuari Adrion Kelmendi ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë dhe veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.