Gjykimi për ndarjen e bashkëpronësisë - Foto: KALLXO.com

Ndërpritet gjykimi për ndarjen e bashkëpronësisë, kërkohet përjashtimi i gjyqtarit

Ali Shabani, i paditur nga kushërinjtë e tij,  Sabit, Fatmir dhe Xhemajl Shabani për ndarje të bashkëpronësisë, ka kërkuar sot në seancën gjyqësore të mbajtur në Gjykatën e Gjilanit, që të përjashtohet gjyqtari i këtij rasti, Venhar Saliu.

Ai këtë kërkesë e parashtroi me arsyetimin se ka dyshime në objektivitetin e gjykatësit.

“Dyshojmë në objektivitetin e gjyqtarit sepse është në raport familjar me palën paditëse Xhemajl Shabanin. Motrat e Xhemajl Shabanit, H. Mustafa dhe T. Mustafa janë të martuara për vëllezërit M. dhe S. Mustafa nga fshati Muhovc i Republikës së Serbisë”.

Sipas të paditurit, këta dy persona janë në lidhje të ngushtë me Rr. Hajdarin, i cili është babai i V. Hajdarit, e cila është bashkëshortja e gjyqtarit të rastit.

Sipas tij, gruaja e gjyqtarit i ka kushërinj M. dhe  S. Mustafën dhe “në të dyshoj por nuk e di saktë”.

Ndër arsye të tjera që e shtyri Aliun ta bëjë këtë kërkesë është edhe fakti se sipas pretendimit të tij, ky gjyqtar i ka bërë presion dhe ka qenë shumë i vrazhdë me të.

“Gjatë tërë kohës gjyqtari ka qenë shumë i vrazhdë, që në seancën e parë më ka bërë presion dhe i njëjti e ka cekur në procesverbal pa ma tërhequr vërejtjen paraprakisht se do të më përjashtonte nga gjykatorja, kurse pala tjetër është sjellë si në oborr të vet”, tha i padituri.

Këto pretendime ai i sqaroi duke theksuar se Xhemajli ndikoi direkt në gjyqtarin sepse në seancat e kaluara kur gjyqtari propozonte që seanca të mbahej në ora 9:00, ndërsa me kërkesën e Xhemajl Shabanit e caktonte në ora 13:00”.

Madje, sipas tij, këtë veprim gjyqtari e kishte përsëritur edhe në seancën e kaluar.

“Veprimin e njëjtë gjyqtari e përsëriti edhe në seancën e kaluar në ora 9:00, mirëpo Xhemajl Shabani pa leje të gjyqtarit e caktoi prapë seancën në ora 13:00. Andaj për këto arsye dhe për shkak të dyshimit se mund të kemi një gjykim jo të drejtë, të ndikuar dhe të njëanshëm i kërkoj kryetarit të Gjykatës përjashtimin e tij”, deklaroi Ali Shabani.

Në pyetjen e gjyqtarit të çështjes Venhar Salihu se kur e ka kuptuar këtë fakt, Ali Shabani u përgjigj duke deklaruar se sa i përket lidhjes familjare të supozuar – që në fillim të seancave të para, “madje edhe para se të caktohet seanca e parë”.

Ai më tutje shtoi se “këto vërejtje nuk i kam paraqitur që të sillet në pajtim me ligjin edhe pse i njëjti disa herë sillej në mënyrë brutalisht të ashpër edhe atë me tone të lartë pa ma tërhequr vërejtjen paraprakisht në procesverbal”, tha ndër të tjera Aliu.

Lidhur me kërkesën e Ali Shabanit që të përjashtohet gjyqtari i këtij rasti Venhar Salihu, u deklarua edhe pala paditëse.

Paditësit Sabit, Xhemajl dhe në emër të paditësit Fatmir, Egzon Halimi i kundërshtuan në tërësi pretendimet sa i përket sjelljes së gjyqtarit dhe të njëjtat nuk qëndrojnë edhe sipas tyre sjellja ka qenë korrekte.

Kurse, sa i përket pretendimit të Aliut për lidhje familjare, Xhemajl Shabani deklaroi se emrat e përmendur M. dhe S. Mustafa tani janë të ndjerë dhe të njëjtit janë nga fshati Muhovc, komuna e Bujanocit dhe bashkëshorten e gjyqtarit nuk e dimë se çka kanë mujtë me e pasë”.

Për këtë kërkesë u pyet edhe i padituri Haqif Shabani, i cili deklaroi se për të gjyqtari ka qenë në rregull dhe kurrfarë presioni nuk ka pasur as ndaj Aliut e as ndaj ndokujt tjetër.

Sipas përshkrimit të padisë së paditësve Sabit, Fatmir dhe Xhemajl Shabani nga Gjilani, thuhet se pasi që palët ndërgjyqësore edhe më herët e kanë ndarë pasurinë e tyre në terren por vetëm juridikisht bashkëpronësia ka qenë e pashkëputur dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor jokontestimor të zhvilluar më parë dhe gjatë daljes në vendin e ngjarjes me ekspertin gjeodet, të paditurit e kanë kundërshtuar ndarjen e bashkëpronësisë duke pretenduar se ngastrat kadastrale 71-1 KK Gjilan, ZK Gjilan, në vendin e quajtur “ Poredin” me kulturë tokë bujqësore në siperfaqe prej 2470 metra katrorë dhe ngastrës kadastrale nr.71-2 KK Gjilan, ZKK Gjilan në vendin e quajtur “ Poredin” me kulturë tokë bujqësore në sipërfaqe prej 13275 metra katrorë, nuk janë ndarë si duhet.

Kjo padi e tyre ishte precizuar me kërkesë dy herë radhazi. Më pastaj ndaj saj ishte paraqitur përgjigje  në padi edhe kundërpadi nga pala e paditur Haqif, Ali, Ilir që të gjithë me mbiemër Shabani nga Gjilani.

Në kundërpadinë e tyre ata i kërkuan gjykatës që ndarja e bashkëpronësisë për ngastrat kontestuese 71-1 dhe 71-2, të cilat figurojnë në certifikatën e pronës si bashkëpronësi të bëhet ndarja fizike e tyre në pjesë të barabarta.

Kjo kundërpadi e palëve të paditura u lejua sot me aktvendim në shqyrtimin gjyqësor të cilën e mori gjyqtari Venhar Salihu.

Në seancës e sotme përgatitore, u morën si të lexuar padia e paditësve, përgjigjja në padi e të paditurve dhe kundërpadia e të paditurve.

Gjykimi më pastaj u procedua me deklarimin e palëve ndërgjyqësore lidhur me këto aspekte të objektit të padisë dhe kundërpadisë së tyre, dhe përfundoi në momentin kur Ali Shabani mori fjalën dhe deklaroi se parashtron kërkesë për përjashtim të gjyqtarit Venhar Salihu.

Gjyqtari Venhar Salihu pasi i dëgjoi deklarimet e të gjitha palëve ndërgjyqësore, lidhur me kërkesën e parashtruar për përjashtim të tij, konform dispozitave të LPK-së, mori aktvendim që shqyrtimi gjyqësor në lidhje me këtë çështje të ndërpritet dhe se lënda së bashku me shkresat e saj pas pagesës së taksës gjyqësore për përjashtim, do t’i dorëzohet kryetarit të gjykatës për vendosje.