Inspekcioni i Komunës së Prishtinës ndërpret punimet në kishën ortodokse - Foto: KALLXO.com

Ndërpriten Punimet në Kishën Ortodokse

Vullnetarët dhe priftërinjtë kanë ndërprerë punën në objektin e kishës ortodokse, e ngritur në vitet ‘90 në kompleksin universitar në kryeqytet.

Drejtori i Inspekcionit i Komunës së Prishtinës, Salih Zyba, tha se këta persona nuk kanë marrë leje për të punuar aty. Po ashtu, sipas tij, Inspekcioni u ka dhënë urdhër të mos zhvillojnë punime.

“Sigurisht, po shohim se çfarë urdhri kanë marrë, çfarë pëlqimi kanë marrë. Ne jemi të shqetësuar për faktin se nuk e kanë respektuar normën… Ka ankesa të shumta prej qytetarëve”, tha Zyba.

Sipas Zybës, përgjegjësit e punimeve nuk kanë respektuar afatin që u ka dhënë Inspekcioni lidhur me punimet. E kjo, sipas tij, është shqetësuese.

“Po këtu shihet se as nuk e kanë përfillur, ne jemi të shqetësuar për faktin se pse nuk është përfillur urdhëresa dhe po shohim kush është përgjegjës dhe kush ka dokument për këto punime”, shtoi Zyba.

Drejtori Zyba tha se ditëve të kaluara vullnetarët dhe priftërinjtë kanë kërkuar leje që të pastrojnë hapësirën brenda dhe jashtë kishës por jo edhe për dje dhe sot.