KALLXO 360: Nderohet Sakrifica e Familjes Jashari

Qytetarë të shumtë dhe udhëheqës të institucioneve të Kosovës kanë bërë homazhe sot në Prekaz në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidentja Atifete Jahjaga ishte në mesin e atyre që nderuan 53 pjesëtarët e Familjes Jashari dhe të lagjes, që ranë 18 vjet më parë në altarin e lirisë.

“Në këto varre këtu pranë janë moshatarët tanë, gjenerata të ndryshme të kësaj familjeje. Këtu është dhënë jeta për liri dhe këtë nuk duhet ta harrojmë”, tha presidentja e vendit, duke theksuar se kthimi në Prekaz e emocionon gjithmonë, sepse, siç tha, “ma rikujton çmimin e madh që kemi dhënë si popull dhe si shtet, si dhe borxhin që ua kemi gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë, për pavarësinë tonë, që ta ndërtojmë një Kosovë të të gjithë qytetarëve të saj, një Kosovë me perspektivë të qartë euroatlantike”.

Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, presidentja Jahjaga ka vizituar edhe familjen e komandantit legjendar, ku është pritur nga kryefamiljari, Rifat Jashari.

I rrethuar nga bashkëpunëtorë e bashkëpartiakë, homazhe në Prekaz ka bërë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli tha se ka ardhur për të nderuar të gjithë ata që kanë dhënë jetën për lirinë e vendit.

“Nëse ka vend ku kombi ynë duhet çdo ditë ta përkujtojë historinë e vet të rëndë dhe se ku ka qenë dje – është ky vend. Dhe nëse ka vend ku kombi ynë çdo ditë duhet të mendojë se çfarë duhet të bëjë më shumë për vendin tonë – është pikërisht ky vend, Prekazi dhe Familja Jashari”, ka thënë kryetari i Kuvendit, i cili më pas në kullën e Jasharajve është pritur nga Rifat Jashari.

Nderime te varrezat e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” ka bërë edhe shefi i Qeverisë, Isa Mustafa, i cili tha se historia e Familjes Jashari është pjesë e veçantë e historisë së Kosovës.

“Sot po përkujtojmë veprimet më brutale, më shtazarake, të ushtrisë dhe forcave paramilitare serbe që ndodhën në Kosovë. Por, po ashtu edhe trimërinë dhe sakrificën më të madhe të një familjeje shqiptare që dha për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Në ditën e dytë të manifestimit Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës homazhe kanë bërë edhe drejtues të institucioneve të tjera të vendit dhe qytetarë të shumtë.

Dje, ndërkaq, në ditën e parë të manifestimit Epopeja e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës në Kazermën “Adem Jashari” me një parakalim të njësiteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u shënua 18 vjetori i luftës dhe rënies së Jasharëve në Prekaz.

http://kallxo.com/rreshtimi-i-fsk-se-para-heroizmit-te-jashareve/

Epopeja e UÇK-së përmbyllet nesër me manifestimin “Nata e Zjarreve”, me ç’rast bëhet ndezja e flakadanëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.