Nderohen me mirënjohje minatorët e grevës së vitit 1989 - Foto: Komuna e Mitrovicës

Nderohen me mirënjohje minatorët e grevës së vitit 1989

Në shënimin e 30 vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kanë ndarë mirënjohje për minatorët të cilët ishin pjesë e kësaj greve dhe po këtë vit do të dalin në pension.

Këto mirënjohje u ndanë për kontributin e tyre të dhënë në minierën e Trepçës dhe për sakrificën e tyre gjatë grevës së 28 shkurtit të vitit 1989, thuhet në një komunikatë të Komunës së Mitrovicës.

Bahtiri ka shprehur falënderim të veçantë për të gjithë minatorët, për sakrificën që kanë bërë gjatë këtyre viteve, duke kthyer tërësisht fatin e Kosovës.

“Të jesh minatorë, pjesë e Trepçës, trashëgimtar të veprave të minatorëve të vitit 1989, por edhe të tërë historisë së Trepçës, është përgjegjësi dhe obligim për sendërtimin e idealeve më fisnike kombëtare. Ne e dimë mirë që ajo kohë ishte shumë e vështirë, përplot vuajtje të mëdha, kohë e pasigurisë, por ishte edhe kohë me plotë shpresa e vullnet që një ditë vendi të çlirohet nga okupatori. Ju minatorë të dashur jeni njëra ndër kategoritë  më e nderuar dhe e respektuar nga populli, i cili kurrë nuk do ta harrojë sakrificën tuaj për këtë ditë”, citohet të ketë thënë Bahtiri.

Gjithashtu ministri Lluka falënderoi minatorët për punën dhe sakrificën e tyre dhe shtoi se benefitet të cilat u takojnë atyre shumë shpejtë do të zbatohen.

“Kjo është një ceremoni falënderuese për punën e juaj, për jetën të cilën e keni kaluar në minierën e Trepçës dhe posaçërisht për sakrificën në grevën e minatorëve. Ju uroj për miratimin e statutit të Trepçës e cila juve ju bënë hisedarë në këtë minierë. Ne jemi duke punuar që benefitet të cilat ju takojnë të hyjnë në zbatim sa më shpejtë dhe shpresojmë që brenda 3 muajve të përfundon procedura”, ka thënë Lluka.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku u shpreh i kënaqur me kujdesin e treguar nga kryetari Bahtiri dhe ministri Lluka për realizimin e kërkesave të deritanishme të tyre si dhe falënderoi minatorët për punën e tyre të palodhshme dhe kontributin e vazhdueshëm që kanë dhënë deri më tani për zhvillimin e vendit.