Pamje nga vizita në fabrikën në Devë - Foto: Komuna e Gjakovës

Ndërmarrjet e Gjakovës Kërkojnë më Shumë Mbështetje nga Qeveria

Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, dhe ambasadori i Shqipërisë, Qemajl Minxhozi, e kanë vizituar fabrikën për pasurimin e kromit në fshatin Devë, ku janë informuar për punën dhe problemet me të cilat po përballet ajo.

Kjo fabrikë është privatizuar nga një kompani shqiptare.

Nga drejtori gjeneral i fabrikës, Bukurosh Koçi, ata janë njoftuar për kushtet e favorshme që investitori ka gjetur në komunën e Gjakovës, duke filluar nga normat e ulëta të taksave komunale e deri tek mikpritja dhe gatishmëria për ndihmë konkrete nga kryetarja Mimoza Kusari – Lila.

Megjithatë, Koçi ka thënë se fabrika po përballet me mungesë të lëndës së parë, për ç’gjë ai kërkoi ndihmën e ministrit Stavileci dhe ambasadorit Minxhozi.

Kërkesë e veçantë e drejtorit qe që fabrikës t’i mundësohet gjetja dhe përdorimi i minierave të kromit, të cilat për fat të mirë, siç tha ai, janë në numër të madh në tërë regjionin e komunës së Gjakovës dhe më gjerë.

Ndërsa, kryetarja e Gjakovës tha se kjo ndërmarrje dhe të tjera kanë nevojë për përkrahje më të madhe nga niveli qendror.

“Qeveria duhet të shikojë mundësinë e hapjes së minierave të mëhershme por edhe aktivizimin e minierave në Republikën e Shqipërisë”, ka thënë ajo.

Ndërsa, ministri Stavileci premtoi se Ministria që drejton ai dhe Qeveria e Kosovës në përgjithësi do të angazhohen më shumë për gjetjen e zgjidhjes për përmirësimin e kërkesave të ndërmarrjeve të tilla.

Ndërkohë, duke e quajtur si një shembull të mirë të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ambasadori Qemajl Minxhozi ka thënë se kjo fabrikë ka nevoje imediate për ndihmë konkrete nga të dyja qeveritë, sepse vetëm duke ndihmuar nisma të tilla të përbashkëta mund të afrohen njerëzit në të dyja anët e kufirit.