Foto: KALLXO.com

Ndërhyrje nga Shteti në Punën e OJQ-ve

Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës këtë të hëne prezantuan të gjeturat nga raporti “Matrica e monitorimit për ambientin e favorshëm për zhvillimin e shoqërisë civile” gjatë vitit 2015.

Në prezantimin e të gjeturave u tha se ka pasur raste të ndërhyrjes në punën e OJQ-ve, si nga shteti dhe nga palët e treta.

Kjo matricë është realizuar në periudhën janar-dhjetor 2015 dhe janë identifikuar 150 indikatorë.

Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë tha se ky raport reflekton zhvillimin në fushën e përgjithshme të shoqërisë civile në vend dhe i ndihmo institucionet tona.

“Ky raport reflekton zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë civile në vend dhe kjo matricë ndihmon institucionet tona për të parë dhe verifikuar arritshmërinë, cilat janë pengesat dhe vështirësitë, qoftë në aspektin e legjislacionit apo të politikave e dokumenteve tjera në këtë fushë”, tha Hajredini.

Ai gjithashtu tha se puna e përbashkët me shoqërinë civile e ka ndihmuar në hartimin dhe zbatimin e rregullorës të shoqërisë civile.

Drejtoresha e KCSF-së, Venera Hajrullahu tregoi se ky projekt është një pajtim rajonal si parakusht i zhvillimit të shoqërisë civile dhe së është mjet standard për politika.

“Kjo matricë ka si meritë të parë dhe kryesore definimin e ambientit të favorshëm për zhvillimin e shoqërisë civile. Definim ky i ndërtuar mbi parime dhe standarde globale, rajonale e kombëtare, mbi analizën e përvojave dhe praktikave dhe se këto standarde janë plotësuar me standarde të reja me kërkesa të kohës”, tha Hajrullahu.

Sipas saj sektori i shoqërisë civile po evuluon shumë shpejt, aq shpejt sa që po evuluon dhe vetë koncepti i qeverisjes dhe tanimë gjithnjë e më fuqishëm po vendoset qytetari në qendër të politikëbërjes si objekt dhe si aktor.

Ndërsa, Goran Paulsson, udhëheqësi i projektit për bashkëpunim zhvillimor në Ambasadën suedeze në Kosovë, tha se Suedia do të mbështesë Qeverinë e Kosovës, shoqërinë civile, sektorin privat dhe të gjitha akterët që merren me politika aktive.